Nënkryetari i Bujanocit ftohet në polici për flamurin kombëtar

Nënkryetari i Bujanocit, Shqiprim Musliu është ftuar nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë që të paraqitet në organet e policisë në Bujanoc.

Sipas tij kjo ftesë ndërlidhet me provokimin që është bërë në Konçul të Bujanocit, ku tek varri i dëshmorit të kombit Fatmir Ibishi, ishte vendosur një flamur i Serbisë dhe ishte hequr flamuri kombëtar.

Musliu ka thënë se do t’i përgjigjet ftesës, por që nuk do të ndërrojë qëndrim, duke thënë se vendosja e flamurit të Serbisë në atë lokacion paraqet një provokim për komunitetin.

Ky është njoftimi i tij i plotë:

Të nderuar qytetarë të Bujanocit

Më lejoni t’iu njoftoj se sot kam marrë një ftesë nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, që të paraqitem më datën 12 korrik 2021 në organet e policisë në Bujanoc.

Kjo ftesë ndërlidhet me provokimin që na është bërë në Konçul të Bujanocit, ku tek varri i dëshmorit të kombit Fatmir Ibishi, ishte vendosur një flamur i Serbisë dhe ishte hequr flamuri kombëtar.

Unë, si nënkryetar i komunës, do të paraqitem sipas ftesës zyrtare në institucionin ku më është bërë thirrja dhe do të ripërsëris qëndrimin tim lidhur me këtë ngjarje.

Përsëris se vendosja e flamurit të Serbisë në atë lokacion paraqet një provokim për komunitetin dhe reagimi im ka qenë konform menaxhimit sa më të mirë dhe në qetësi të kësaj situate.

Simbolet kombëtare janë të shenjta dhe duke respektuar këto simbole ne forcojmë themelet dhe vlerat sublime të demokracisë.