Larg syve të botës, njerëzit vazhdojnë të vdesin nën bomba, nga uria, etja dhe represioni
Anna Foa, La Stampa
Ndërsa vëmendja ndërkombëtare zhvendoset me shpejtësi nga një krizë te tjetra, Gaza dhe Libani po rrëshqasin gjithnjë e më shumë në harresë.
Sot nuk duhen më vite apo muaj që një tragjedi të zbehet në ndërgjegjen kolektive. Mjafton që kamerat të largohen dhe imazhet e shkatërrimit të zhduken nga ekranet. Por lufta nuk ndalet kur pushon transmetimi televiziv.
Në Liban, sulmet izraelite kanë vazhduar me intensitet të lartë. Që nga fillimi i luftimeve, mijëra njerëz kanë humbur jetën, mes tyre shumë civilë dhe fëmijë. Edhe pse shpesh paralajmërohen evakuime përpara bombardimeve, kjo nuk e ndryshon faktin se pasojat humanitare mbeten të rënda.
Në një nga deklaratat më të ashpra të muajve të fundit, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, tha se çdo lot i një nëne izraelite do të paguhej me lotët e një mijë nënave libaneze. Një retorikë e tillë ngre pyetje të thella morale mbi vlerën që u jepet jetëve njerëzore në të dy anët e konfliktit.
Ndërkohë, në Gaza, ku pjesa më e madhe e infrastrukturës dhe e banesave është shkatërruar, jeta vazhdon mes kushteve ekstreme. Armëpushimi i shpallur në tetor 2025 ka pakësuar por nuk ka ndalur plotësisht bombardimet.
Ndihmat humanitare vazhdojnë të jenë të pamjaftueshme për të përballuar urinë dhe nevojat bazë të popullsisë. Mijëra njerëz janë vrarë ose plagosur edhe pas armëpushimit, ndërsa javët e fundit është përkeqësuar ndjeshëm mungesa e ujit të pijshëm.
Në një territor ku sistemi shëndetësor është pothuajse i rrënuar, kjo rrit rrezikun e epidemive dhe katastrofave të tjera humanitare. Dëshmitë që vijnë nga vetë banorët e Gazës tregojnë jo vetëm vuajtjen materiale, por edhe dëshpërimin e thellë psikologjik.
Shumë prej tyre ndihen të braktisur dhe kanë humbur besimin se qytetet dhe komunitetet e tyre mund të rindërtohen një ditë. Kjo ndjenjë pafuqie dhe humbjeje rrezikon të kthehet në një plagë afatgjatë për një shoqëri të tërë.
Edhe në Liban, ku situata ende nuk ka arritur nivelin e shkatërrimit të Gazës, pasojat po bëhen gjithnjë e më të rënda. Bombardimet, zgjerimi i zonave të kontrolluara ushtarakisht dhe zhvendosja masive e popullsisë kanë detyruar qindra mijëra njerëz të lënë shtëpitë e tyre.
Konflikti është bërë gjithashtu pjesë e përplasjes më të gjerë rajonale mes Izraelit, Iranit dhe fuqive ndërkombëtare, ndërsa kostoja njerëzore vazhdon të rritet.
Një tjetër front i shpesh i harruar është Bregu Perëndimor i pushtuar. Përveç përleshjeve të vazhdueshme me kolonët dhe ushtrinë, mijëra palestinezë kanë humbur mundësinë për të punuar në Izrael. Shumë prej tyre përpiqen të kalojnë ilegalisht pengesat kufitare për të siguruar jetesën, duke rrezikuar arrestimin ose edhe jetën.
Pyetja që mbetet është sa gjatë do të vazhdojë kjo spirale dhune dhe ndëshkimi kolektiv. Sulmi i 7 tetorit shërben ende si justifikim për operacione ushtarake me pasoja shkatërruese për popullsinë civile. Ndërsa numri i viktimave rritet, rreziku më i madh është që bota të mësohet me këtë tragjedi dhe ta konsiderojë atë si një realitet të zakonshëm.
Dhe në fund, harresa mund të bëhet po aq e rrezikshme sa vetë lufta. /tesheshi






