Netanyahu: Nuk do të ketë armëpushim apo karburant në Gaza derisa të kthehen pengjet

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se nuk do të ketë armëpushim apo dërgesa të karburantit në Rripin e Gazës nëse nuk lirohen pengjet e mbajtura nga Hamasi, transmeton Anadolu.

“Nuk do të ketë hyrje të karburantit apo armëpushim pa lirimin e pengjeve tona”, tha Netanyahu në një deklaratë televizive.

Grupi palestinez Hamas besohet se mban të paktën 242 pengje pas sulmit të tij ndërkufitar në territorin izraelit më 7 tetor.

Netanyahu tha se ushtria izraelite po hyn më thellë në Gaza “sesa nuk e kishte imagjinuar ndonjëherë Hamasi”.

“Qyteti i Gazës është i rrethuar. Ne po operojmë brenda tij, po thellojmë presionin mbi Hamasin çdo orë, çdo ditë”, tha ai.

Izraeli ka nisur sulme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor.

Të paktën 10.328 palestinezë, përfshirë 4.237 fëmijë dhe 2.719 gra, janë vrarë që atëherë. Ndërkohë, sipas shifrave zyrtare, numri i të vdekurve izraelitë është gati 1.600.

Përveç numrit të madh të viktimave dhe zhvendosjeve masive të popullatës palestineze, furnizimet bazë po mbarojnë për 2.3 milionë banorët e Gazës për shkak të rrethimit izraelit.