Ministria e Jashtme e Palestinës deklaroi se kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu përdor standardin e dyfishtë ndërkombëtar për të mbuluar krimet që ka kryer kundër popullit të Palestinës, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim nga ministria thuhet: “Dënojmë qëndrimin e vendeve që i japin të drejtën administratës pushtuese të kryejë sulme kundër popullit tonë, kryesisht në Gaza. Netanyahu përdor standardin e dyfishtë ndërkombëtar për të mbuluar krimet që ka kryer kundër popullit tonë”.
Më tej në deklaratë tërhiqet vëmendja se janë rritur zërat që mbajnë anën e Izraelit. “Asgjë tjetër nuk pranohet përveç asaj që dëshiron Izraeli. Edhe pse është shtet pushtues thotë se përdor të drejtën e vetëmbrojtjes. Shteti pushtues është uzurpator dhe agresor. Për këtë arsye i ka rënë e drejta për vetëmbrojtje”, theksohet në deklaratën e ministrisë.
– Çfarë ka ndodhur?
Ushtria izraelite mëngjesin e 9 majit filloi sulme kundër Gazës nën bllokadë duke mbrojtur idenë se ka vendosur në objektiv stafin drejtues të Lëvizjes Xhihadi Islamik.
Grupet palestineze u kundërpërgjigjën duke lëshuar një seri raketash nga Gaza drejt Izraelit.
Në sulmet që ushtria izraelite ka ndërmarrë kundër Gazës që nga e marta e deri më tani, kanë humbur jetën 25 palestinezë ndërsa janë plagosur 76 të tjerë.
Ndërkohë nuk kanë dhënë rezultat negociatat për armëpushim të zhvilluara përmes palëve ndërkombëtare mes grupeve izraelite dhe palestineze.







