Netanyahu premton ta mbajë Jerusalemin “të bashkuar” nën kontrollin izraelit

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu zhvilloi një mbledhje të kabinetit në një lagje me shumicë palestineze, në kuadër të festimeve për Ditën e Jerusalemit, duke premtuar se qyteti i lashtë do të mbetet nën sovranitetin izraelit.

“Do ta mbajmë Jerusalemin të bashkuar, të plotë dhe nën sovranitetin izraelit,” tha Netanyahu nga lagjja Silwan në Jerusalemin Lindor – zonë e pushtuar nga Izraeli gjatë luftës arabo-izraelite të vitit 1967.

Gjatë takimit, qeveria miratoi një rezolutë për të inkurajuar dhe mbështetur financiarisht vendet që vendosin ose zhvendosin ambasadat e tyre në Jerusalem, sipas një deklarate të përbashkët të ministrit të Jashtëm Gideon Saar dhe ministrit për çështjet e Jerusalemit dhe trashëgimisë hebraike, Meir Porush.

Izraeli e aneksoi Jerusalemin Lindor në vitin 1967 – një veprim që nuk njihet ndërkombëtarisht. Palestinezët e shohin Jerusalemin Lindor si kryeqytetin e shtetit të tyre të ardhshëm.

“Jerusalemi, kryeqyteti ynë i përjetshëm, u ribashkua 58 vite më parë gjatë Luftës Gjashtëditore. Ai nuk do të ndahet më kurrë,” deklaroi Netanyahu. /mesazhi