Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Netanyahu urdhëron mbylljen e Hebronit dhe përgatitjen për izolimin e plotë të...

Netanyahu urdhëron mbylljen e Hebronit dhe përgatitjen për izolimin e plotë të Bregut Perëndimor

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka urdhëruar mbylljen e menjëhershme të qytetit të Hebronit dhe ka udhëzuar forcat e sigurisë të përgatiten për izolimin e plotë të Bregut Perëndimor të pushtuar.

Vendimi vjen pas një incidenti me të shtëna pranë qytetit Halhul, në rajonin e Hebronit, ku pesë kolonë izraelitë mbetën të plagosur, ndërsa dy palestinezë u vranë nga të shtënat e ushtrisë izraelite.

Netanyahu deklaroi se kishte zhvilluar një vlerësim të situatës së sigurisë me zyrtarë të lartë ushtarakë dhe të sigurisë, duke urdhëruar ushtrinë dhe agjencitë përkatëse të vendosin menjëherë kufizime në Hebron dhe të përgatiten për masa të gjera izolimi në të gjithë Bregun Perëndimor.

Sipas dëshmitarëve okularë, forcat izraelite kanë mbyllur të gjitha hyrjet në Hebron me porta hekuri, duke e vënë qytetin nën rrethim. Ushtria gjithashtu ka bllokuar hyrjet në qytete dhe vendbanime palestineze meu pengesa dhe pika kontrolli ushtarake, duke kufizuar lëvizjen e banorëve.

Dëshmitarët raportuan gjithashtu për bastisje në periferi të Hebronit dhe në disa qytete përreth, ku forcat izraelite kontrolluan dyqane dhe morën pamjet e kamerave të sigurisë.

Përshkallëzimi i fundit ndodh pak ditë para zgjedhjeve parlamentare në Izrael, të planifikuara për 27 tetor.

Bregu Perëndimor i pushtuar, përfshirë Jerusalemin Lindor, është përballur me një rritje të operacioneve ushtarake izraelite dhe të dhunës nga kolonët që nga fillimi i luftës në Gaza, në tetor të vitit 2023. Këto veprime kanë përfshirë vrasje dhe arrestime të palestinezëve, shkatërrim të shtëpive dhe tokave bujqësore, djegie të xhamive e automjeteve, si dhe zhvendosje të komuniteteve palestineze. /mesazhi