Nezir Mehmetajt i vazhdohet paraburgimi në Serbi, MPJ kërkon ndihmë nga SHBA-të dhe BE-ja

Kosovari Nezir Mehmetaj po vazhdon të mbahet në paraburgim në Serbi.

Këtë e ka bërë të ditur vet ministria e Punëve të Jashtme përmes një komunikate për media në të cilën i bëhet thirrje BE-së dhe SHBA-ve që të bindin Beogradin për ndaljen e akuzave, arrestimeve dhe maltretimeve të pabazuara, shkruan lajmi.net.

Nga MPJ kanë thënë se Mehmetaj i cili u arrestua më 4 janar të këtij viti, po mbahet në paraburgim përkundër përpjekjeve të autoriteteve kosovare për lirimin e tij.

Nga MPJ thonë se një sjellje e tillë e Serbisë është edhe në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit.

Komunikata e plotë e lëshuar sot nga MPJ:

Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Republikës së Kosovës i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare, në veçanti Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, të bindin Beogradin zyrtar për të ndalë fabrikimin e akuzave, maltretimet dhe arrestimet e pabazuara, me të cilat në vazhdimësi përballën shtetasit e Republikës së Kosovës, gjatë udhëtimit nëpër territorin e Republikës së Serbisë.

Shkas për këtë deklaratë, është vazhdimi i paraburgimit nga autoritetet serbe për shtetasin kosovar, z. Nezir Mehmetaj, i cili u arrestua nga policia serbe më 4 janar, në pikën kufitare në Merdare, derisa po kthehej nga Zvicra në Kosovë, me pretekstin se dyshohet për krime lufte.

Zyra Ndërlidhesë e Republikës së Kosovës në Beograd është përpjekur për të siguruar lirimin e z. Mehmetaj, familja e të cilit ka angazhuar një avokat lokal, mirëpo në vend të lirimit, Prokuroria serbe ia ka zgjatur paraburgimin, duke dëshmuar edhe njëher se Drejtësia serbe e ka të pamundur të tregohet e paanshme ndaj shtetasve të Republikës së Kosovës.

Mehmetaj vizitohet në baza javore nga Zyra Ndërlidhese e Republikës së Kosovës në Beograd. Poashtu, pas njoftimit nga Zyra Ndërlidhëse, Zyra e Përfaqesuesit të Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së ka bërë të ditur se është duke ndjekur nga afër rastin në fjalë.

Kjo praktikë e autoriteteve serbe është në kundërshtim edhe me Marrëveshjen e Brukselit. Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Republikës së Kosovës do të mbetet e angazhuar në mënyrë aktive për të siguruar lirimin e z. Mehmetaj dhe kthimin e tij në familje. Serbia duhet, të ndalojë me përndjekjet dhe arrestimet politike të shtetasve të Kosovës, të respektojë të drejtat elementare të njeriut, njëra prej të cilave është edhe e drejta e lëvizje.