Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame të Prishtinës, Hetem ef. Sopjani, së bashku më Kryeimamin, Burhanudin ef. Hashani dhe zv.Kryeimamin, Idriz ef. Xhigoli, kanë pritur në takim kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin dhe ministrin në detyrë të Kulturës, Hajrullah Çekun.
Së bashku vizituan xhaminë e Sudi Efendisë në qendër të Prishtinës, ku nga sot nisën punimet për restaurimin e saj, që parasheh konsolidimin e strukturës së xhamisë, largimin e lokaleve rrotull dhe në fund rikthimin e saj në shfrytëzim nga komuniteti i besimtarëve myslimanë.
Ky projekt është përzgjedhur si projekt prioritar për restaurim, në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Bashkësisë Islame të Kosovës. Vlera e investimit nga Ministria e Kulturës është 639,776.36 Euro.








