Avioni që transporton ekipet turke të kërkim-shpëtimit dhe ndihmës humanitare u nis nga aeroporti “Ataturk” i Stambollit drejt Venezuelës, raporton Anadolu.
Drejtori i Autoritetit për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) për provincën e Stambollit, prof. dr. Haluk Ozener dha një deklaratë në aeroportin “Ataturk” para nisjes së avionit me ekipet e kërkim-shpëtimit dhe ndihmat humanitare drejt Venezuelës.
Ozener tha se pas informacionit se dje në rajonin Yaracuy të Venezuelës ndodhën dy tërmete të njëpasnjëshme prej 7.2 ballësh dhe 7.5 ballësh me një interval prej 39 sekondash, nisën menjëherë përgatitjet në koordinim me Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Mbrojtjes Kombëtare, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Drejtorinë e Përgjithshme për Çështjet e Sigurisë pranë Presidencës si dhe me institucionet e tjera përkatëse.
Ai thotë se pas konsultimeve me Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, u vu në dispozicion një avion ushtarak transportues i tipit A-400M.
“Në ekip ndodhen 37 pjesëtarë të AFAD-it nga Stambolli, Izmiri dhe Denizli, të angazhuar në kërkim-shpëtim dhe ndihmë humanitare, një ekip prej 6 anëtarësh i UMKE-së nga Ministria e Shëndetësisë, një ekip prej 2 anëtarësh i Gjysmëhënës së Kuqe Turke, 2 qen kërkim-shpëtimi dhe 2 automjete të pajisura plotësisht për operacione kërkim-shpëtimi”, tha Ozener duke shtuar se:
“Shtabi i Përgjithshëm ka vënë në dispozicion edhe një avion tjetër të ngjashëm, me të cilin një ekip prej 20 personash nga Brigada e Ndihmës Humanitare do të dërgohet në rajon. Aktualisht jemi në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe ambasadën tonë në Venezuelë. Nëse do të jetë e nevojshme, do të ofrojmë edhe pajisje dhe personel shtesë”, tha ai.
Ozener thekson se gjatë këtij viti Turqia ka realizuar operacione të ndihmës humanitare në 11 vende, përfshirë Gazën, Sirinë, Pakistanin dhe Afganistanin.
“Në vitin 2025 ky numër ishte 16. Ndihma të tilla humanitare vazhdojnë pa ndërprerje. Përveç ndihmës humanitare, ne dërgojmë ekipe kërkim-shpëtimi edhe në rastet e fatkeqësive natyrore dhe atyre të shkaktuara nga njeriu në vende si Japonia, Haiti, El Salvadori, Shqipëria dhe Bosnjë e Hercegovina”, tha ai.
– “Nëse do të ketë ndonjë kërkesë, do t’i angazhojmë edhe ata”
Ozener tha se sipas raporteve globale për ndihmën humanitare, Turqia prej shumë vitesh është vendi që ofron më së shumti ndihmë humanitare në botë.
Duke u uruar rrugë të mbarë dhe suksese ekipeve që u nisën drejt Venezuelës, ai tha: “Përveç kësaj, shumë organizata të shoqërisë civile dhe ekipet tona të kërkim-shpëtimit janë aktualisht në gatishmëri dhe presin njoftimin. Nëse do të ketë ndonjë kërkesë, do t’i angazhojmë edhe ato”.
Pas deklaratës, avioni që transporton ekipet turke të kërkim-shpëtimit dhe ndihmës humanitare u nis nga aeroporti “Ataturk” i Stambollit drejt Venezuelës.

