Një kërcënim për shëndetin: Ja pse antibiotikët nuk po bëjnë më punë si më parë

Ndotja e ajrit po ndikon në rritjen e rezistencës ndaj antibiotikëve që përbën një kërcënim të rëndësishëm për shëndetin e njeriut në mbarë botën, sugjeron një studim mbarëbotëror.

Studimi, duke përdorur të dhëna nga më shumë se 100 vende që përfshin gati dy dekada, tregon se rritja e ndotjes së ajrit është e lidhur me rritjen e rezistencës ndaj antibiotikëve në çdo vend dhe kontinent.

Antibiotikët janë ilaçe që luftojnë infeksionet bakteriale te njerëzit dhe kafshët. Rezistenca ndaj antibiotikëve është një nga kërcënimet me rritje më të shpejtë për shëndetin global, mund të prekë njerëzit e çdo moshe në çdo vend dhe tashmë po vret 1.3 milionë njerëz në vit, sipas vlerësimeve.

Shkaktarët kryesorë mbeten keqpërdorimi dhe përdorimi i tepërt i antibiotikëve, të cilët përdoren për trajtimin e infeksioneve. Por studimi sugjeron se problemi po përkeqësohet nga rritja e niveleve të ndotjes së ajrit.

Hulumtimet sugjerojnë se grimcat PM2.5 mund të përmbajnë baktere rezistente ndaj antibiotikëve dhe gjene rezistente, të cilat mund të transferohen midis mjediseve dhe të thithen drejtpërdrejt nga njerëzit, thanë autorët.

Ndotja e ajrit është tashmë rreziku më i madh mjedisor për shëndetin publik. Ekspozimi afatgjatë ndaj ndotjes së ajrit shoqërohet me gjendje kronike si sëmundjet e zemrës, astma dhe kanceri i mushkërive, duke ulur jetëgjatësinë.

Ekspozimi afatshkurtër ndaj niveleve të larta të ndotjes mund të shkaktojë kollitje, probleme me frymëmarrjen dhe sulme astme.