SHBA-të përfitojnë naftë dhe gaz më të lirë, Evropa dhe Azia përballen me çmime deri në 160 dollarë për fuçi
Tregu i naftës po përjeton një transformim të pazakontë. I njëjti produkt shitet me çmime krejt të ndryshme, në varësi të rajonit ku prodhohet dhe konsumohet.
Lufta me Iranin dhe rritja e jashtëzakonshme e kostove të transportit kanë ndërprerë lidhjet tradicionale mes tregjeve, duke krijuar një hartë të re fituesish dhe humbësish.
Ndërsa SHBA-të përfitojnë nga furnizimi më i lirë, Evropa dhe Azia po përballen me çmime shumë më të larta. Ashtu si në tregun e pasurive të paluajtshme, edhe në tregtinë e naftës vendndodhja është vendimtare.
Tregu i naftës bruto nuk ka qenë kurrë plotësisht global, por një bashkësi tregjesh rajonale të lidhura mes tyre. Kur çmimet ndryshonin, nafta drejtohej drejt destinacionit ku mund të shitej më shtrenjtë.
Por rritja e kostove të transportit detar në nivele pothuajse ekstreme e ka ndërprerë këtë qarkullim. Rrjedhimisht, tregu po copëzohet.
Balanca globale mes kërkesës dhe ofertës, e cila dikur përcaktonte çmimin ndërkombëtar të naftës, nuk ka më të njëjtën peshë. Çmimet varen gjithnjë e më shumë nga kushtet e veçanta të çdo rajoni.
Aty ku ka mungesa arrijnë nivele të jashtëzakonshme, ndërsa në zonat me tepricë prodhimi mbeten relativisht të ulëta.
Dallimet janë të dukshme. Një fuçi naftë e Detit të Veriut, e dorëzuar në Roterdam, kushton rreth 125 dollarë; nafta amerikane e nxjerrë nga argjilat bituminoze dhe e transportuar drejt Gjirit të Meksikës rreth 100 dollarë; nafta kanadeze e dërguar në SHBA rreth 70 dollarë, ndërsa nafta e Omanit e transportuar në Kinën jugore arrin afërsisht 150 dollarë.
Para luftës kundër Iranit, diferencat rajonale zakonisht kufizoheshin në disa dollarë për fuçi dhe shpjegoheshin kryesisht me cilësinë e ndryshme të naftës. Sot, faktori përcaktues është transporti.
Edhe pse tarifat detare kanë rënë nga nivelet rekord të ditëve të fundit, ato mbeten shumë të larta. Sipas përllogaritjeve, transportimi i një fuçie naftë kushton aktualisht mesatarisht 20-25 dollarë, kundrejt vetëm tre dollarëve para fillimit të luftës me Iranin.
Kjo situatë favorizon potencialisht SHBA-të, të cilat importojnë naftë me çmime më të ulëta. Rreth 75 për qind e naftës që blejnë jashtë vendit vjen nga Kanadaja, Meksika dhe Venezuela, vende që aktualisht po e shesin prodhimin me çmime relativisht të ulëta.
Copëzimi i tregut energjetik nuk kufizohet vetëm te nafta. Edhe gazi natyror po shitet me diferenca të mëdha mes rajoneve.
Amerika e Veriut gjendet në një pozicion të favorshëm falë prodhimit të gazit argjilor, ndërsa Evropa dhe Azia detyrohen të paguajnë shumë më tepër për furnizimet nga distanca të largëta, veçanërisht pas goditjes që pësoi industria e gazit në Katar për shkak të luftës me Iranin.
Konsumatorët amerikanë dhe kanadezë paguajnë rreth tre dollarë për një milion njësi termike britanike (MMBtu), ndërsa në Evropë dhe Azi çmimi kalon 30 dollarë.
Sipas vlerësimeve të Bloomberg, nga viti 2007 deri në vitin 2025, gazi më i lirë u ka kursyer amerikanëve rreth 4.300 miliardë dollarë krahasuar me kostot e përballuara nga konsumatorët japonezë dhe evropianë.
Në Evropë, rafineritë janë të gatshme të paguajnë më shumë për naftën që vjen nga burime pranë tyre, duke shmangur kostot e larta të transportit.
Roterdami, një nga qendrat kryesore të përpunimit dhe tregtimit të naftës, është edhe pika referuese e çmimit Brent. Ky naftë bruto nxirret kryesisht në Detin e Veriut, relativisht pranë rafinerive evropiane.
Sipas analistit të Morgan Stanley, Martjin Rate, Brent-i përfiton aktualisht nga avantazhi i distancave të shkurtra të transportit. Pra, çmimi i tij i lartë nuk lidhet domosdoshmërisht me mungesën e naftës, por me afërsinë e burimeve të furnizimit me rafineritë kryesore.
Në anën tjetër, nafta kanadeze, e cila tradicionalisht dërgohet drejt jugut, në SHBA, e ka gjithnjë e më të vështirë të gjejë tregje alternative.
Transporti drejt Azisë është bërë tepër i kushtueshëm, duke detyruar prodhuesit kanadezë të shesin kryesisht në tregun amerikan.
Për pasojë, nafta e Western Canadian Select kushton rreth 30 dollarë për fuçi më pak se standardet e tjera ndërkombëtare, një nga diferencat më të mëdha të regjistruara ndonjëherë.
Të njëjtin problem e hasin edhe prodhuesit e Afrikës Perëndimore. Nafta nga Nigeria dhe Angola shitet me zbritje të paprecedentë, shpesh 10 deri në 20 dollarë për fuçi nën çmimin Brent, për shkak të kostove të larta të transportit drejt Azisë.
Ndërkohë, nafta e Lindjes së Mesme ruan një avantazh, pasi burimet e saj janë më pranë rafinerive aziatike. Rezultati është një ndarje e thellë: SHBA-të paguajnë më pak se 100 dollarë për fuçi, ndërsa në pjesën tjetër të botës çmimet lëvizin nga 120 deri në 160 dollarë.
Këto pabarazi do të vazhdojnë për aq kohë sa transporti detar të mos rikthehet në nivelet normale, nëse kjo do të ndodhë. Kriza aktuale tregon se në tregun energjetik nuk mjafton të ketë naftë në botë. Rëndësi ka edhe ku ndodhet ajo dhe sa kushton për ta çuar deri te konsumatori. /tesheshi.com/







