Ballina Lajmet Kosovë Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për krime lufte në Vushtrri

Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për krime lufte në Vushtrri

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe përmes aktvendimit ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej muaji ndaj të pandehurit R.D., i dyshuar për “Krime lufte kundër popullatës civile”.

Në njoftim thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake, pas seancës dëgjimore vlerësoi se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin R.D., pasi ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti në bashkëkryerje ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet.

“Ekziston dyshimi dyshimi i bazuar se me datë 22.05.1999 gjatë periudhës së luftës në Kosovë forcat serbe kishin ndërmarr një ofensivë në Vushtrri, ndërsa i pandehuri R.D. kishte marrë pjesë në cilësinë e pjesëtarit të policisë serbe në kryerjen e veprimeve të rrahjes, plaçkitjes së pasurisë dhe vrasjes së civilëve, e që në thelb janë veprime me të cilat plotësohen elementet e figurës së veprës penale Krim i luftës kundër popullatës civile”, thuhet në njoftim.

Gjykata vlerësoi se pesha e veprës penale është e natyrës së rëndë dhe komplekse, andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme, për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale.

“Gjykata konstatoi se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri R.D. nëse gjendet në liri, mund të arratiset duke pasur parasysh faktin se është shtetas i Serbisë, dhe i njëjti mund të jetë i pa arritshëm për fazat tjera të procedurës penale”, njofton Gjykata.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.