Një muaj paraburgim për të dyshuarin që vrau 21-vjeçaren në Ferizaj

Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin V.A., i cili dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Në komunikatë është bërë e ditur se pas mbajtjes së seancës dëgjimore gjyqtari ka vlerësuar se ekziston dyshimi se V.A., pasditen e së premtes me dashje ka privuar nga jeta ish-bashkëshorten E.C..

Sipas gjykatës, i dyshuari ka goditur viktimën disa herë më plumba në kokë, ndërsa i njëjti ka shtënë edhe në drejtim të vëllait të mitur të së ndjerës.

“Po ashtu ka vlerësuar se i pandehuri në kundërshtim me ligjin për armët, pa autorizim ka mbajtur në pronësi pistoletën e tipit Zoraki M 2906-T, me numër serik ZRAGY02 201100027 cal.9mm, me një karikator të zbrazur, e cila me datë 12 prill i është konfiskuar nga Policia”, thuhet në komunikatë.

Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit V.A, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

“Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij”.