Nga kujtimet e Shejh Kardavit (Allahu e mëshiroftë):
Nga ngjarjet e paharrueshme në fushën e thirrjes islame është ajo që më ndodhi në një prej muajve të Ramazanit. Në atë kohë isha me pushime verore dhe qëndroja në fshat. Vëllezërit nga Tanta më dërguan në Kefr Shejh që të mbaja hutben e xhumasë në një prej fshatrave të asaj zone, dhe se njëri prej tyre do të më priste në stacionin e autobusëve që vinin nga Mehal-la në Kefr Shejh.
U ngrita herët për të udhëtuar drejt Mehal-lës, pastaj të shkoja në stacionin e autobusëve që shkonin për në Kefr Shejh, për të marrë njërin prej tyre drejt atij qyteti. Ashtu edhe ndodhi. Arrita në stacion dhe gjeta një nga vëllezërit; më pas hipëm në një autobus tjetër drejt një fshati pranë “Sakhasë”. Vapa ishte shumë e madhe dhe kulloja në djersë, por në rininë tonë nuk ua vinim veshin këtyre vështirësive të vogla; madje pothuajse nuk i ndienim siç i ndienin të tjerët.
Mbajta hutben në fshatin që ishte mbledhur i tëri për këtë rast, dhe më pas mbajta një fjalë të shkurtër pas namazit. Pastaj kërkuam leje për t’u larguar, sepse nuk kishte vend për mikpritje, ishim në Ramazan. Banorët e fshatit më kërkuan të qëndroja deri në iftar, por kërkova ndjesë. Emrin e këtij fshati e kam harruar; ai ishte pjesë e qarkut të Kefr Shejhut.
Më pas vëllai që më shoqëronte më tha: mund të kthehesh në Kefr Shejh dhe të marrësh prej andej autobus për në Mehal-la, ashtu siç erdhe, ose mund të hipësh trenin e Deltës nga këtu, nga Sakha, drejt Mahal-lës drejtpërdrejt. E pyeta: sa kushton bileta nga këtu në Mahal-la? Më tha: po pyesim. Pyeti dhe më tha: kushton gjashtë kurush. I thashë: falënderimi i qoftë Allahut. Sepse e gjithë shuma që kisha me vete ishte gjashtë kurush e gjysmë. Thashë me vete: po udhëtoj drejt Mehal-lës dhe Allahu bën çfarë të dojë, sepse nga shtëpia kisha dalë me gjithë paratë që zotëroja në atë kohë.
Duhej që vëllezërit nga Tanta të më dërgonin shpenzimet e këtij udhëtimi, sepse unë isha student, jo punonjës. Por duket se ata u mbështetën te vëllezërit e Kefr Shejhut, dhe vëllezërit atje (në Kefr Shejh) u mbështetën te ata që ishin në Tanta, ndërsa unë mbeta në mes. Vëllai që më shoqëroi nga Kefr Shejhu ishte krejtësisht i pavetëdijshëm për këtë çështje.
Hipa në trenin e Deltës nga stacioni i Sakhasë. Ishte një tren i vogël dhe i ngadaltë, për të cilin njerëzit bënin shaka duke thënë: mund t’i bësh shenjë me dorë dhe ai ndalon për ty!
Treni i ngadaltë mbërriti në qytetin e Mehal-lës pak para perëndimit të diellit. Mendova të shkoj te një i afërm që banonte në Mehal-la, që të haja iftar tek ai dhe të merrja prej tij shpenzimet e udhëtimit për në fshatin tim, Saft. Më kishte marrë vetëm një herë më parë në shtëpinë e tij, dhe me sa mbaja mend shtëpia e tij ishte pranë xhamisë “Teube”.
Shkova në atë lagje dhe, pranë xhamisë, e përshkova zonën majtas e djathtas, duke u përpjekur të gjeja shtëpinë ose të paktën ndonjë shenjë për të, por nuk ia dola. U thirr ezani i akshamit dhe nuk pata rrugë tjetër veçse të shkoja në xhami për të falur namazin e akshamit dhe iftarin e çela me ujë, pa ngrënë asgjë se në fakt nuk kisha =farë të haja.
Më pas shkova në selinë e vëllezërve në Mehal-la. Pas pak erdhën disa prej tyre, më përshëndetën dhe porositën për mua një pije me gaz për ta pirë. Po si të pija, kur barku im ishte bosh dhe stomaku i uritur? Desha t’u thosha se ende nuk kisha ngrën iftar, por më pengoi turpi – një cilësi e lindur tek unë.
Sahabët e kanë përshkruar Profetin (a.s) se ishte më i turpshëm se një vajzë e virgjër në dhomën e saj. Ky moral profetik ishte ai që më pengoi t’u tregoja vëllezërve se isha me bark bosh, pas një dite të ngarkuar me lodhje udhëtimi, vapë të madhe dhe vështirësi rruge. Po ky turp më pengoi edhe që t’i kërkoja shoqëruesit tim në Kefr Shejh të më paguante biletën e udhëtimit nga Sakha në Mehal-la, siç e kërkon rregulli, e bëra këtë që të mos dukesha si dikush që përfiton materialisht nga thirrja islame.
U përpoqa ta mposht turpin tim dhe t’u kërkoja vëllezërve në degën e Mehal-lës shpenzimet e udhëtimit për në Saft – që ishin dy kurush – por nuk munda; turpi im ishte më i fortë se nevoja ime. Dhe lidhja ime me ndonjërin prej tyre nuk ishte e fortë në atë kohë.
I përshëndeta vëllezërit dhe dola në rrugë, i vendosur që ta përshkoja në këmbë distancën prej njëmbëdhjetë kilometrash, nëse nuk gjeja dikë që të më merrte me vete për hir të Allahut.
Në një zonë që quhej “Esh-Shun”, në periferi të Mehal-lës, u përpoqa të gjeja ndonjë shofer që të më merrte me vete, veçanërisht pasi kisha një takim të rëndësishëm në fshat pas namazit të teravive.
I bëra shenjë dy kamionëve transporti dhe ata nuk u ndalën. Një burrë e vuri re këtë, dhe duke parë se unë mbaja xhybe dhe çallmë, më pyeti: pse nuk hipën? I thashë me sinqeritet: nuk kam me vete pagesën e udhëtimit. Më pyeti: sa është? I thashë: dy kurush. Ai tha: ja ku i ke. I thashë: Allahu të shpërbleftë me të mira, ma lehtësove brengën.
U ktheva në fshat shumë i uritur, dhe gjëja e parë që bëra ishte të haja. Por isha shumë i vendosur të merrja pjesë në takim, ndaj lodhja e ditës nuk më pengoi për punën e natës.
Takimi ishte i rëndësishëm, sepse aty po konsultoheshim për themelimin e një dege të Vëllezërve Muslimanë në Saft Terab. Ishte paraparë që kjo degë të lindte pikërisht atë natë të bekuar të Ramazanit, por për disa rrethana u vonua. Më pas, dega u themelua nga disa të rinj të sinqertë të qytetit.
Përktheu: Elton Harxhi









