Një qytet dikur tipik osman e shqiptar, më i lumturi në Greqi

Janina konsiderohet qyteti më i lumtur në Greqi dhe kjo sigurisht nuk është rastësi, shkruan media greke. Qyteti të mirëpret me një peizazh të dominuar nga liqeni, ndërsa në momentin që shkel këmbën në të e di që nuk ke pse të përpiqesh të ndihesh si në shtëpi.

Qyteti duket se ka ritmin e vet, të qetë, një ritëm që të vë shpejt në humor: njerëz të ngrohtë, lagje që ende ruajnë karakterin e tyre të vjetër dhe një atmosferë që kombinon jetën, artin dhe historinë në një mënyrë unike.

Në këtë kontekst, bashkia e Janinës organizoi një mision gazetaresk, duke dashur të nxirrte në pah bukuritë e zonës, por edhe ambicionin që qyteti të bëhet një lojtar i madh në turizmin e konferencave, i cili është tashmë në nivele shumë të larta.

Pse quhet “qyteti 15-minutësh”?

Janina është, siç pohon bashkia e qytetit, duke cituar kërkime, përkufizimi i qytetit 15-minutësh. Dhe kjo për shkak se gjithçka është afër jush, mund të jeni nga njëri skaj në tjetrin vetëm në pak minuta: nga liqeni në qendër, nga kalaja në Nea Zoi ose në mjediset universitare – gjithçka është “pranë derës”.

Qyteti ju lejon ta jetoni atë pa stres, pa presion trafiku, pa ndjesinë e vrapimit. Është një qytet njerëzor, i bërë për t’u shijuar.

Nuk është rastësi që u shpall qyteti më i lumtur në Greqi për vitin 2025, sipas Indeksit global të Qytetit të Lumtur.

Dhe xhevahiri më i madh i Janinës nuk është asgjë tjetër përveç Liqenit Pamvotida. Me ishullin e tij të vogël që qëndron krenar në mes dhe ujërat që pasqyrojnë qiellin dhe Kalanë, liqeni duket se i jep qytetit frymëmarrjen e vet.

Shëtitjet e mëngjesit në mjegull, xhirot me biçikleta pasdite dhe rosat karakteristike që u afrohen kalimtarëve krijojnë imazhe që është e vështirë të gjenden diku tjetër. Është “diamanti” i popullit të Janinës — dhe jo pa arsye.

Ishulli, megjithëse i vogël, mbart një histori të madhe. Muzeu Ali Pasha ringjall aktin e fundit të feudalit osman, shkruan Protothema.

Janina ka një vitalitet të thjeshtë: tregu është gjithmonë plot, kafenetë pothuajse kurrë nuk janë bosh dhe tavernat përhapin aroma që e bëjnë edhe udhëtarin më të kërkuar të ndalet.

Dhe nuk është rastësi që Janina konsiderohet si një nga destinacionet më të reja të konferencave në Greqi, kjo pasi është gjithashtu një destinacion i zgjedhur nga kompani të mëdha të huaja.

Qasja e lehtë, infrastruktura moderne, hotelet me standarde të larta dhe mikpritja cilësore e bëjnë qytetin ideal për konferenca dhe takime biznesi.

Dhe kujtojmë se Janina dikur ishte një qytet tipik osman dhe njëherësh shqiptar, i humbur në Luftrat Ballkanike pas rënies së Perandorisë Osmane.

Për paradoks, ai prevalon ekonomikisht mbi dy qytetet fqinje të Jugut të Shqipërisë, Gjirokastra dhe Saranda, pasi fuqinë më të madhe blerëse e ka nga Shqipëria e Jugut. /tesheshi.com/