Një sqarim i domosdoshëm për Kurban Bajramin.

Pyetje:

Dikush ka bërë nijet për kurban. Kemi dëgjuar se kur hyn hëna e Dhulhixhes ai që do të bëjë kurban nuk duhet të presë flokët, të rruaj qimet dhe të shkurtojë thonjtë, madje nëse bën një veprim të tillë ka bërë mëkat. Mund të na përmendni shkurtimisht mendimet e dijetarëve për këtë çështje dhe cili është mendimi më i saktë?

Përgjigje:

Falënderimi i përket Allahut të Madhëruar, paqja, begatia dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin, familjen e tij, shokët dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij.

Në lidhje me këtë çështje dijetarët kanë katër mendime:

1- Lejohet të shkurtohen flokët, të rruhen qimet dhe të priten thonjtë gjatë 10 ditëshit të parë të Dhulhixhes nga ai që do të bëjë kurban. Ai që vepron kështu nuk ka bërë asgjë të keqe, por ka vepruar natyrshëm. Këtë mendim e përkrah imam Ebu Hanife, imam Ebu Jusufi, imam Muhamed ibn Hasani, imam Maliku (aq sa Ibn Abdul Berri thotë se ky është mendimi bazë i medh`hebit maliki, dhe se ky është mendimi i dijetarëve të Medines dhe Kufes).

2- Lejohet të shkurtohen flokët, të rruhen qimet dhe të priten thonjtë, megjithëse më e mira është të mos bëhen veprime të tilla. Nëse dikush i bën këto veprime, nuk ka bërë asnjë mëkat dhe asnjë shkelje. Këtë mendim e përkrah dijetarët e brezavet të mëvonshëm të medh`hebit hanefi, si Mulla Ali Karriu, Ibn Abidini etj.

3- Është sunet të mos shkurtohen flokët, të mos rruhen qimet e trupit dhe të mos priten thonjtë në 10 ditëshin e parë të Dhulihixhes për atë që do të bëjë kurban dhe kush i bën veprime të tilla ka bërë veprime të papëlqyeshme dhe jo haram. Ky është mendimi i dijetarëve shafi`i, i dijetarëve maliki dhe një pjesë të dijetarëve hambeli, si: Ebu Jala, Ibn Xheuzi etj.

4- Është haram të shkurtohen flokët, të rruhen qimet dhe të priten thonjtë gjatë 10 ditëshit të Dhulhixhes për atë që do të bëjë kurban. Kush i shkurton flokët, rruan qimet dhe pret thonjtë ka bërë mëkat dhe duhet të pendohet. Ky është mendimi i Ahmed ibn Hanbelit, i disa dijetarëve shafi`i, i Daud Dhahiriut etj.

Mendimi më i saktë

Mendimi më i drejtë dhe më i saktë në lidhje me këtë çështje është se nuk ka asnjë problem që personi, i cili ka bërë nijet për kurban të presë floktë, të rruaj qimet apo të presë thonjtë gjatë 10 ditëshit të parë të Dhulhixhes. Ai që bën veprim të tilla nuk ka bërë asnjë mëkat, por një veprim legjitim. Argument për këtë është hadithi i Aishes (r.a): “Pejgamberi a.s. i niste kafshët për kurban nga Medina (për në Meke në rastet kur nuk merrte pjesë vetë në Haxh) dhe unë u përgatisja rrethoret që i vendoseshin në qafë atyre. Pejgamberi a.s. nuk i nështrohej rregullave që përmbaheshin ata që bënin nijet për haxh (si qethja e flokëve, rruarja e qimeve, shkurtimi i thonjëve etj)”. Transmeton Buhariu (1698) dhe Muslimi (1321).

Në lidhje me hadithin e Ummu Selemes: “I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Kur të hyjë muaji Dhul Hixhe dhe ndonjëri prej jush dëshiron të bëjë kurban, le të mos i shkurtojë flokët, të mos i shkurtojë thonjtë dhe të mos heqë qimet nga trupi”, transmeton Muslimi (1977), ai është hadith i anuluar dhe mbi të nuk mund të ndërtohen dispozita.

Dijetarët thonë se hadithi i Aishes që lejon kryerjen e këtyre veprimeve ka më shumë përparësi ndaj hadithit të Ummu Selemes që ndalon kryerjen e këtyre veprimeve, për këto arsye:

1- Hadithin e transmeton nga Ummu Seleme tabiini Said ibn Musejbi, i cili kur është pyetur pikërisht për zbatimin e këtij hadithi ka thënë: “Ky hadith është anuluar dhe lënë”. Amr ibn Muslimi tregon: “Ishim në hamam një ditë para Kurban Bajramit dhe njerëzit u pastruan (rruajtën qimet e sqetullave dhe pjesëve intime). Një nga ata që ishte në hamam tha: “Said ibn Musejjebi nuk e pëlqen këtë që bëtë ju” apo tha: “Ai ka ndaluar nga një gjë e tillë”. Unë e takova Said ibn Musejjebin dhe i tregova për çfarë kishte ndodhur. Ai më tha: “O nipi im! Ky hadith është anuluar dhe nuk zbatohet më”. Transmeton Muslimi (1977).

2- Hadithi i Aishes (r.a) është më i saktë në transmetim, ndërsa për hadithin e Ummu Selemes (r.a) ka debate mes dijetarëve nëse është fjalë e saj apo fjalë profetike. Dikush i tha Sufjanit (njërit prej transmetueseve të hadithit) se filan transmetues i përmend si thënie të Ummu Selemes, ndërsa Sufjani tha: Unë e transmetoj si thënie profetik”. Shiko Sahihu Muslim (1977).

3- Nëse do të ndalohej shkurtimi i flokëve, rruarja e qimeve dhe prerja e thonjëve, më parësore duhet të ishte ndalim i marrëdhënieve intime dhe parfumosja. Kur dikush i përmendi Ikrimes hadithin e Ummu Selmes ai tha: “Dhe nuk janë të ndaluara marrëdhëniet bashkëshortore dhe parfumosja”?! Sunen En-Nesai, (4365).

4- Koha e hadithit të Aishes (r.a) dihet, është viti i 9 Hixhri, ndërsa koha e hadithit të Ummu Selmes është e paqartë.

5- Hadithi i Aishes (r.a) është kundërpërgjigjje ndaj atyre që ndalojnë shkurtimin e flokëve, rruarjen e qimeve, prerjen e thonjëve dhe marrëdhënieve intime gjatë 10 ditëshit të parë të muajit Dhulhixheh. Amra bint Abdurrahman tregon: “Ibn Zijadi i shkruajti Aishes: “Ibn Abasi ka thënë: “Kush bën nijet të bëjë kurban i ndalohen ato gjëra që i ka të ndaluar ti kryejë ai që është në haxh (shkurtimin e flokëve, rruarjen e qimeve, prerjen e thonjve, parfumosjen, marrëdhëniet intime etj)”. Unë kam nisur kafshën e kurbanit për në Meke. Më trego se çfarë di ti për këtë çështje”. Aishja tha: “Çështja nuk është siç ka thënë Ibn Abasi. Unë i kam përgatitur me dorën time rrethoret për kurbanin që i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) e kishte taksuar për në Meke. I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ia ka vendosur këto rrethore në qafë me dorën e tij. Kafshën e kurbanin ia ka dhënë babait tim (Ebu Bekrit) që ta çonte në Meke. I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) nuk ia ka ndaluar vetes ato gjëra që ia ka lejuar Allahu. Kështa ka vepruar derisa është bërë kurbani”. Muslimi (1321)

6- Feja e Allahut është lehtë në praktikë dhe lehtësuese. Futja e njerëzve në disa kallëpe vështirësish pa pasur nevojë bie në kundërshtim me frymën lehtësuese të Islamit, sidomos kur për një çështje të tillë dytësore ke argumenta të saktë e lehtësues. Një mospajtim mes dijetarëve për një çështje të tillë nuk duhet të bëhet shkak të penalizohet shumica e muslimanëve, të privohen nga kryerja e adhurimit të kurbanit dhe të ngarkohen me ndjenjën e mëkatit për veprime legjitime, si shkurtimi i flokëve, rruarja e qimeve dhe shkurtimi i thonjëve. Këto ndalesa vlejnë vetëm përa atë që kryen Haxhin apo Umran, siç është shpjeguar në librat e Fikhut Islam.

Allahu e di më mirë dhe vetëm Ai udhëzon në rrugë të drejtë!

Përgatiti shejh Abedin Musallari