Në një kthesë historike, Britania ka njohur zyrtarisht shtetin e Palestinës, një shekull pas Deklaratës së Balfour-it, dokumentit që përcaktoi kursin e shpronësimit të saj.
Kryeministri Sir Keir Starmer e shpalli këtë vendim që në korrik, duke njoftuar se Mbretëria e Bashkuar do ta bënte këtë hap në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator, në rast se Izraeli nuk plotësonte disa kërkesa: arritjen e një armëpushimi në Gaza, heqjen e ndalimit për ndihmat humanitare dhe rivendosjen e perspektivës për një zgjidhje me dy shtete.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu reagoi furishëm ndaj njoftimit, duke e cilësuar vendimin si shpërblim për “terrorizmin monstruoz të Hamasit”. Ministri i Jashtëm, Gideon Saar, kërcënoi me një “vendim unilateral”, si aneksimin zyrtar të Bregut Perëndimor të pushtuar, nëse Britania dhe Europa do të vazhdonin njohjen e Palestinës.
Në këtë udhëkryq historik, njohja e Palestinës nga Britania duket patetikisht një gjest i vogël dhe një shekull me vonesë.
Në vitin 1917, Britania, me Deklaratën famëkeqe të Balfour-it, premtoi mbështetje për krijimin e një “shtëpie kombëtare” – pra, një shteti – për popullin hebre në Palestinë. Në atë kohë, hebrenjtë përbënin vetëm 10 për qind të popullsisë së Palestinës dhe zotëronin vetëm 2 për qind të tokës. Megjithatë, sipas Britanisë, ata 10 për qind meritonin të drejtën e vetëvendosjes, ndërsa 90 për qind të tjerët jo.
Për më tepër, Deklarata e Balfour-it iu referua shumicës palestineze si “komunitetet jo-hebraike në Palestinë”, duke i mohuar ekzistencën dhe duke i përkufizuar në terma të asaj që nuk ishin. Edward Saidi e ka përshkruar atë si një dokument klasik kolonial. Nga viti 1922 deri më 1948, Britania e sundoi Palestinën nën një mandat të Lidhjes së Kombeve, të cilin e përshkroi si një “besë të shenjtë të civilizimit”, me qëllim përgatitjen e vendit për vetëqeverisje. Në vend të kësaj, Britania e tradhtoi këtë besë, duke përgatitur terrenin që vendi të kalonte nën kontrollin e hebrenjve europianë.
Historia e Mandatit Britanik në Palestinë është, në thelb, historia e mënyrës sesi Britania ia vodhi Palestinën palestinezëve dhe ua dorëzoi sionistëve. Guri i themelit të Mandatit ishte të parandalonte zgjedhjet derisa hebrenjtë të bëheshin shumicë. Britania i mundësoi hebrenjve, një pakicë e vogël, të nisnin marrjen sistematike të vendit – një proces që vazhdon edhe sot. Ajo gjithashtu pengoi bashkëjetesën paqësore mes hebrenjve, muslimanëve dhe të krishterëve, që kishte ekzistuar para vendosjes së sundimit kolonial britanik.
Britania abuzoi me Mandatin, duke sponsorizuar dhe promovuar kolonializmin vendbanues sionist nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër shtypte nacionalizmin palestinez. Në këtë kuptim, ndërhyrja e tanishme izraelite në Gaza është pasojë e drejtpërdrejtë e Deklaratës së Balfour-it, e cila i dha dritën jeshile marrëveshjeve për kontroll të pakufizuar të tokës së Palestinës nga sionistët. Kjo është arsyeja pse vendimi i Britanisë për të njohur sot Palestinën, ndonëse ka peshë historike, tingëllon bosh nëse nuk shoqërohet me veprime konkrete për të zhbërë dëmin e një shekulli bashkëpërgjegjësie.
Nga gjestet boshe te bashkëpërgjegjësia e sotme
Që prej vitit 1948, nën qeveri konservatore dhe laburiste, politika britanike është karakterizuar nga mbështetje e dukshme për Izraelin dhe indiferencë totale ndaj të drejtave palestineze, veçanërisht ndaj të drejtës natyrore për vetëvendosje kombëtare. Në vitin 2014, Dhoma e Komunave miratoi një mocion për njohjen e Palestinës si shtet, me 274 vota pro dhe vetëm 12 kundër, një shprehje e qartë e opinionit britanik. Megjithatë, kryeministri i atëhershëm, David Cameron, e hodhi poshtë rezultatin si një gjest simbolik, pa efekt ligjor apo politik.
Në 100-vjetorin e Deklaratës së Balfour-it, më 2017, 13.500 qytetarë nënshkruan një peticion duke kërkuar nga qeveria britanike një ndjesë për atë dokument. Kryeministrja Theresa May u përgjigj se qeveria nuk kishte asgjë për të kërkuar ndjesë; përkundrazi, ajo shprehu krenarinë për rolin jetik të Britanisë në krijimin e një shteti për popullin hebre, duke lënë pa përmendje palestinezët dhe të drejtën e tyre mbi atdheun.
Pas vitit 1967, një kontradiktë e thellë karakterizoi politikën britanike ndaj çështjes Izrael/Palestinë: Britania mbështeste në dukje një zgjidhje me dy shtete – një shtet të pavarur palestinez pranë Izraelit, me Gazën dhe Bregun Perëndimor të pushtuar dhe kryeqytet Jerusalemin Lindor. Por, ndërkohë që avokonte këtë zgjidhje, Britania njihte vetëm një shtet – Izraelin, duke injoruar refuzimin e vazhdueshëm të këtij të fundit për një shtet palestinez. Perspektiva e një zgjidhjeje të mjegullt me dy shtete shërben si mantel hipokrit për të fshehur dështimin për të vepruar kundër aneksimit gradual të territoreve të pushtuara.
Lufta gjenocidale në Gaza
Debati për njohjen e Palestinës u ringjall pas luftës gjenocidale të Izraelit në Gaza, pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023. Që atëherë, ushtria izraelite ka shkaktuar vdekje dhe shkatërrim të jashtëzakonshëm: mbi 64.000 persona të vrarë, shumica gra dhe fëmijë; 89% e banesave dhe infrastrukturës civile të bombarduara; dëme të mëdha në sistemin shëndetësor; sulme ndaj shkollave, universiteteve dhe objekteve të OKB-së; shpërngulje me forcë e 90% të popullsisë civile; dhe përdorimin e urisë si armë lufte.
Gjatë kësaj lufte – e quajtur “Operacioni Një Mijë Shpata” – Izraeli po kryen krimin e krimeve: gjenocidin. Ky kapitull është një nga më të errëtit në shekullin XXI. Megjithatë, politika britanike vazhdon të anojë në favor të Izraelit, duke ofruar mbështetje diplomatike, logjistike, inteligjence dhe ushtarake. Britania ka përdorur pozicionin e saj si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit për të vënë veto ndaj rezolutave për armëpushim. Forcat Ajrore Mbretërore (RAF) kryejnë misione vëzhgimi mbi Gaza dhe i japin ushtrisë izraelite informacione të rëndësishme.
Baza e RAF-it në Akrotiri, Qipro, i shërben ushtrisë izraelite. Aeroplanët transportues izraelitë ndalojnë në bazat e RAF-it në Skoci për të marrë armë dhe municione nga SHBA-ja, dhe këto baza përdoren gjithashtu për fluturime të forcave speciale amerikane drejt dhe nga Izraeli. Bashkëpërgjegjësia britanike për krimet e luftës nuk ndalet këtu: Britania është furnizuesi i tretë më i madh i armëve për Izraelin, pas SHBA-së dhe Gjermanisë. Në shtator 2024, disa licenca për armë u pezulluan, por ato përbënin më pak se 10% të totalit – një gjest simbolik për të qetësuar opinionin publik.
Dështimi më flagrant moral i Britanisë qëndron në shmangien e përgjegjësisë sipas Konventës së vitit 1948 për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit. “Gjenocid” përkufizohet si qëllimi për të shkatërruar, tërësisht ose pjesërisht, një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar. Shumë ekspertë izraelitë mbi Holokaustin, veçanërisht Omer Bartov, e konsiderojnë veprimin e Izraelit në Gaza një rast klasik gjenocidi. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë konfirmoi besueshmërinë e akuzave dhe i urdhëroi Izraelit hapa për të parandaluar retorikën dhe veprimet gjenocidale. Hetimi i fundit i OKB-së e konfirmoi këtë situatë. Megjithatë, Izraeli i injoroi urdhrat, dhe qeveria britanike vazhdon të pretendojë se nuk ka prova përfundimtare për gjenocid, duke vepruar si zakonisht. Konventa kërkon veprim parandalues – të cilin Britania nuk e ka marrë, duke dështuar turpshëm.
Njohje pa veprim
Në këtë sfond të tmerrshëm, qeveria britanike ka vendosur të njohë shtetin e Palestinës. Njohja është e vonuar, por e mirëpritur. Katër nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit mbështesin tani shtetësinë palestineze – përveç Shteteve të Bashkuara, aleati më i fuqishëm i Izraelit.
Megjithëse njohja britanike nuk ndryshon situatën në terren, ajo është një deklaratë politike e fuqishme, që heq kontradiktën e avokimit për një zgjidhje me dy shtete ndërkohë që njihte vetëm njërin. Ajo nuk do të ndalë masakrën, shkatërrimin, katastrofën humanitare, gjenocidin në Gaza apo spastrimin etnik të Bregut Perëndimor. Në fakt, njohja përdoret si mantel për mosveprim.
Britania duhet të vendosë sanksione ndaj Izraelit, të pezullojë bashkëpunimin ushtarak dhe të inteligjencës, dhe të ndalojë çdo shitje armësh, si dhe blerjen e pajisjeve dhe teknologjisë ushtarake. Fushata gjenocidale në Gaza është çështja më emergjente për Britaninë dhe komunitetin ndërkombëtar. Dështimi për të vepruar rrit pandëshkueshmërinë e Izraelit dhe minon rendin ndërkombëtar, ngritur pas Luftës së Dytë Botërore për të parandaluar një tjetër Holokaust.
Njohja gjysmake e Palestinës, ndërkohë që Britania vazhdon të mbështesë makinerinë e luftës izraelite, kujton tregimin e perandorit Neron, i cili luante violinën ndërsa Zjarri i Madh i Romës shkatërronte qytetin. A do të vazhdojë qeveria britanike të “luajë violinën”, apo do të pranojë përgjegjësinë ligjore dhe morale për të vepruar? /tesheshi
Nga Avi Shlaim, TRT World








