Nuk bëhet nami me i rishiku disa mendime.
Nëse t’bie mendimi, nuk t’bie burrnia.
Pse e kemi kaq të vështirë të bisedojmë mes veti? Sepse mendimet tona i kemi shndërruar në pjesë të ndjeshmërisë, qenies dhe identitetit tonë. Për pasojë, kemi krijuar bindjen se nëse sulmohet mendimi ynë, sulmohet edhe vetë qenia dhe identiteti jonë. Nëse bie mendimi ynë, sikur bie e gjithë qenia dhe vetëdija jonë.
Po të ishte debati vetëm mes dy mendimesh, pajtimi ndërmjet tyre do të ishte më i lehtë. Por shumica e njerëzve e lidhin mendimin me ndjeshmërinë personale dhe me identitetin e tyre, ndaj çdo dyshim mbi një mendim të ndërtuar ndër vite ata e shohin si kërcënim për qëndrueshmërinë psikologjike dhe për vetëdijen e tyre. Prandaj edhe ngulmojnë aq shumë.
⸻———
Rrugëdalja është shumë e qartë:
Të mësojmë ta ndajmë mendimin tonë nga qenia dhe identiteti jonë, sepse thelbi ynë i vërtetë është përtej çdo mendimi që kemi përqafuar.
Në të vërtetë, mendimet janë si retë që kalojnë, ndërsa ne jemi qielli që qëndron.
Shumëkush mbron idetë e veta me zjarr, sepse i sheh si pjesë të qenies, por të mos harrojmë: e vërteta nuk ka frikë nga drita. Vetëm gënjeshtra dridhet kur shfaqet realiteti.
Me fjalë të tjera: edhe nëse kemi përqafuar një mendim për tridhjetë apo pesëdhjetë vjet, e pastaj realiteti na tregon se ai mendim kërkon rishikim, kjo nuk përbën kërcënim për ekzistencën tonë.
Sa më shumë që njeriu është në gjendje të ruajë distancë mes “qenies së tij psikologjike” dhe “mendimit të tij”, aq më i aftë është të pranojë ndryshimin dhe t’i përgjigjet realitetit me fleksibilitet.
Hoxhë Halil Avdulli








