“Nuk e morëm civilizimin, por vetëm modernizimin.” Malik bin Nabij
Modernizimi është marrja e pamjes së jashtme materiale të jetës moderne: telefonat, makinat, teknologjia, veshjet bashkëkohore dhe infrastruktura.
▪️Civilizimi, përkundrazi, është përvetësimi i vlerave dhe sjelljeve që i kanë prodhuar këto arritje materiale: respekti për ligjin, disiplina, puna në ekip, kërkimi shkencor, përgjegjësia dhe kultura e prodhimit.
Këto shoqëri, Malik Bin Nabij i quante në veprat e tij “shoqëri paraqytetëruese”, sepse ai besonte se shumë popuj importuan produktet e moderrnitetit, por nuk përvetësuan frymën mendore dhe morale që i kishte prodhuar ato. Si pasojë, u bënë konsumues të fryteve të civilizimit, pa marrë pjesë realisht në krijimin e tyre.
Qytetërimi nuk fillon me festivale, maratona, koncerte apo shfaqje teatrore. Ai fillon me ndërtimin e njeriut: me arsim cilësor, edukatë, disiplinë, kërkim shkencor, prodhim, respekt për kohën dhe për ligjin.
Vetëm pasi të jenë vendosur këto themele, arti, kultura dhe sporti vijnë si fryte të natyrshme të një shoqërie të qytetëruar.
Kjo i ngjan dikujt që dëshiron të ndërtojë një shtëpi duke filluar nga kati i fundit, pa hedhur më parë themelet. Logjika inxhinierike dhe ajo e arsyes na mësojnë se çdo ndërtim nis nga toka dhe ngrihet gradualisht. Nuk mund të ndërtohet çatia e më pas të kërkohen shtyllat dhe themelet që do ta mbajnë.
Prandaj, shumësia e aktiviteteve argëtuese apo kulturore nuk do të thotë domosdoshmërisht se një shoqëri ka arritur rilindje qytetëruese.
Secili prej nesh le t’ia shtrojë vetes këto pyetje:
* A e kemi ndërtuar njeriun që është i aftë ta mbajë këtë qytetërim?
* A është përmirësuar arsimi?
* A është rritur niveli i prodhimit shkencor?
* A është përmirësuar etika e punës?
* A është bërë shoqëria jonë prodhuese e dijes, apo vazhdon të jetë vetëm konsumuese e saj?
Zoti i Madhërishem thotë:
“A është më i mirë ai që ndërtesën e vet e ka themeluar mbi devotshmëri ndaj Allahut dhe kënaqësinë e Tij, apo ai që ndërtesën e vet e ka ngritur buzë një gremine që po shembet, e cila e rrëzon atë në zjarrin e Xhehenemit?”
(Et-Teube, 109).
Hoxhë Halil Avdulli








