Numri i të vdekurve në Gaza rritet në 6.546 mes sulmeve ajrore izraelite

Ministria e Shëndetësisë në Gaza thotë se mes viktimave janë edhe 2.704 fëmijë dhe 1.584 gra.

Numri i të vdekurve palestinezë nga sulmet ajrore të vazhdueshme izraelite në Rripin e Gazës është rritur në 6.546, tha të mërkurën Ministria e Shëndetësisë palestineze.

“Vdekjet përfshinin 2.704 fëmijë, 1.584 gra dhe 364 pleq”, tha zëdhënësi i ministrisë Ashraf al-Qudra në një konferencë shtypi në qytetin e Gazës.

Ai tha se 17.439 persona të tjerë u plagosën në sulmet, ndërsa 1.600 njerëz mbetën të bllokuar nën rrënoja, duke përfshirë 900 fëmijë.

Zëdhënësi tha se 73 mjekë u vranë dhe 25 ambulanca u shkatërruan në sulmet izraelite.

“Sistemi i kujdesit shëndetësor i Gazës doli jashtë shërbimit” mes sulmeve të pamëshirshme dhe mungesave kritike, tha al-Qudra.

Izraeli ka nisur sulme të pamëshirshme ajrore në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar të Hamasit në territorin izraelit më 7 tetor. Të paktën 1.400 izraelitë u vranë në sulm.

2,3 milionë banorëve të Gazës kanë mbetur pa ushqim, ujë, ilaçe dhe karburant, dhe autokolonat e ndihmave të lejuara në Gaza kanë bartur vetëm një pjesë të asaj që nevojitet.