Nxënësit ukrainas në Kiev i kthehen procesit mësimor

Nxënësit në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, pritet t’i kthehen të hënën mësimit, por jo fizikisht në objekte të shkollave.

Mësimi do të mbahet përmes platformave online.

Kryetari i Kievit, Vitaly Klitschko, njoftoi të dielën për rinisjen e procesit mësimor, duke thënë se orët mësimore do të “përshtaten me kushtet aktuale, duke përdorur platforma të ndryshme mësimore”.

“Një detyrë e rëndësishme sot është që qyteti të jetojë dhe të punojë edhe në kushte kaq të vështira të gjendjes ushtarake”, u shpreh ai në rrjetin social Telegram.

Ukraina është në luftë tash e një muaj. Rusia ka nisur pushtimin e këtij vendi më 24 shkurt, ndërkohë që kryeqendra Kievi është ndër zonat më të dëmtuara për shkak të granatimeve nga ana e forcave ruse. Deri më tash, forcat ukrainase nuk kanë lejuar që Kievi të bien në duart e forcave ruse.

“Ata (rusët v.j.) po përpiqen të na frikësojnë. Kjo nuk do të funksionojë!”, shtoi ai.

OKB-ja vlerëson se më shumë se gjysma e fëmijëve të Ukrainës janë larguar nga vendi gjatë luftës, shkruan BBC-ja. /koha