Të paktën 64 persona, përfshirë 13 fëmijë, janë vrarë në një sulm ndaj një spitali në rajonin e Darfurit në Sudan, sipas OBSH-së.
Shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, bëri të ditur se sulmi ndodhi në spitalin mësimor në Al Deain, kryeqyteti i shtetit të Darfurit Lindor. Në mesin e viktimave janë edhe pacientë, dy infermiere dhe një mjek.
Sipas tij, edhe 89 persona të tjerë, përfshirë tetë punonjës shëndetësorë, janë plagosur. Sulmi ka dëmtuar rëndë repartet e pediatrisë, maternitetit dhe urgjencës, duke e nxjerrë spitalin jashtë funksionit dhe duke ndërprerë shërbimet mjekësore për qytetin.
OBSH njofton se numri i përgjithshëm i viktimave nga sulmet ndaj objekteve shëndetësore në Sudan ka kaluar 2,000, që nga fillimi i luftës në vitin 2023 mes ushtrisë sudaneze dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë.
Ende nuk dihet se kush qëndron pas sulmit, ndërsa konflikti në Sudan ka shkaktuar dhjetëra mijëra viktima dhe ka zhvendosur mbi 12 milionë njerëz.
Shefi i OBSH-së bëri thirrje për uljen e tensioneve dhe mbrojtjen e civilëve, punonjësve shëndetësorë dhe organizatave humanitare. /mesazhi








