OBSH: Nuk ka të dhëna të mjaftueshme për të mbështetur pasaportat e vaksinimit

Margaret Harris

Zëdhënësja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Margaret Harris, ka deklaruar se nuk ka të dhëna të mjaftueshme për të sugjeruar nëse vaksinat parandalojnë transmetimin e koronavirusit të ri (COVID-19) dhe nëse përdorimi i pasaportave të vaksinimit do të ishte një strategji e efektshme, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media në Kombet e Bashkuara (OKB), Harris tha se në shumë vende jo të gjithë kanë qasje në vaksina. Ajo përmendi gratë shtatzëna, fëmijët nën 18-vjeç ose një numër të madh të njerëzve që janë të imunosupresuar.

“Dhe sigurisht se ka mungesë të qasjes në vaksina në shumë vende. Ne akoma jemi duke pritur furnizime adekuate për të siguruar vaksinat për të gjitha vendet që kanë nevojë për to”, tha Harris.

Ajo shtoi se çështja e kapitalit është shumë e rëndësishme.

“Dhe në fund të fundit, natyrisht, kur ne ta dimë më shumë nëse e ndalon ose jo transmetimin dhe kur të ketë barazi më të madhe, kjo është diçka që mund të jetë e rëndësishme në të ardhmen”, u shpreh ajo.

Deri më 5 prill, tha OBSH, janë administruar mbi 604 milionë doza të vaksinës, por shumica dërrmuese e tyre është administruar në vendet e zhvilluara.

Struktura COVAX që synon përshpejtimin e vaksinimit në vendet në nevojë ka shpërndarë 3 milionë doza në mbi 78 vende. /aa