“Oficeri rezervist izraelit kryen vetëvrasje pasi ishte përfshirë në gjenocidin në Gaza”

Një oficer rezervist izraelit nga Brigada Givati ka kryer vetëvrasje, pasi vuante nga shqetësime të rënda psikologjike të lidhura me pjesëmarrjen e tij në gjenocidin e Izraelit në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.

Sipas gazetës ditore “Israel Hayom”, oficeri 28-vjeçar, i identifikuar si Thomas Edzgoscus, i dha fund jetës pas asaj që media e përshkroi si “një betejë mendore ose për shkak të çrregullimit të stresit post-traumatik, të lidhur me përfshirjen e tij në luftime në vendbanimet izraelite rreth Gazës më 7 tetor të vitit 2023 dhe më pas gjatë operacioneve tokësore brenda enklavës”.

Oficeri kishte shkruar së fundmi në rrjetet sociale se “nuk mund të vazhdonte më të jetonte” dhe se ndjehej “i shkatërruar dhe i humbur,” pa dhënë detaje rreth rrethanave të vdekjes së tij.

Në fund të tetorit, të dhënat zyrtare izraelite tregonin 279 tentativa vetëvrasjeje në ushtri brenda rreth 18 muajve, me 36 ushtarë që kishin kryer vetëvrasje në atë periudhë. Një rishikim i fundit i ushtrisë izraeelite gjeti se shumica e rasteve lidhej me kushtet e vështira që përjetonin trupat në Gaza.

Një armëpushim që hyri në fuqi më 10 tetor të këtij viti duhej të ndalte luftën, por Izraeli e ka shkelur atë çdo ditë, duke shkaktuar qindra viktima të tjera.

Izraeli gjithashtu vazhdon të kufizojë hyrjen e ushqimit dhe ilaçeve në Gaza, ku rreth 2.4 milionë palestinezë përballen me kushte të rënda humanitare.

Izraeli ka vrarë të paktën 70 mijë njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe ka plagosur gati 171 mijë të tjerë në sulmet në Gaza që nga tetori i vitit 2023.