OKB: 20 kamionë në ditë nuk mjaftojnë për Gazën

Programi Botëror i Ushqimit (WFP) ka kërkuar vazhdimin e furnizimeve humanitare në një shkallë që përputhet me nevojat, duke theksuar se “20 kamionë në ditë nuk mjaftojnë”, transmeton Anadolu.

Duke theksuar se autokolonat humanitare kanë “rrjedhur” në Gaza që nga 21 tetori, drejtori i WFP-së për Palestinën, Samer Abdel Jaber, tha se shkalla dhe frekuenca e tyre “nuk janë aspak të mjaftueshme për të lehtësuar vuajtjet e njerëzve”.

Duke folur në një konferencë virtuale për media të OKB-së në Gjenevë, ai tha se WFP-ja ka sjellë sot nëntë kamionë me ndihma ushqimore, kryesisht ushqime të konservuara me miell dhe gjëra të tjera thelbësore, duke theksuar se kjo nuk përbën as 2 për qind të ushqimit të nevojshëm.

Lidhur me mungesën e karburantit, ai paralajmëroi se pa karburant “nuk do të funksionojnë spitalet, nuk do të ketë furra buke dhe nuk do të ketë furnizim me ujë”.

“Ne bëjmë thirrje për mbrojtjen e civilëve dhe shërbimeve thelbësore”, tha ai.

“Vendet që u ofrojnë njerëzve shërbime bazë humanitare si kujdesi mjekësor, ushqimi dhe uji duhet të mbrohen”, shtoi Abdel Jaber.

Izraeli nisi sulme të pamëshirshme ajrore në Rripin e Gazës pas një operacioni ndërkufitar të Hamasit në territorin izraelit më 7 tetor.

Mbi 8.400 njerëz janë vrarë në konflikt, duke përfshirë të paktën 7.028 palestinezë dhe 1.400 izraelitë.

2,3 milionë banorët e Gazës kanë mbetur pa ushqim, ujë, ilaçe dhe karburant, ndërsa autokolonat e ndihmave të lejuara në Gaza kanë bartur vetëm një pjesë të asaj që nevojitet.