OKB: Bota nuk duhet ta harrojë Afganistanin

Achim Steiner

Një zyrtar i lartë i Kombeve të Bashkuara i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mos harrojë situatën në Afganistan mes një fokusi global në luftën në Ukrainë.

“Ndërsa vëmendja e botës është kthyer nga Ukraina dhe rezultatet e vazhdueshme të ngjarjeve nga kjo luftë, ne duhet të qëndrojmë në solidaritet me popullin afgan”, deklaroi të mërkuren kreu i Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) Achim Steiner gjatë një vizite dyditore në Afganistan.

Gjatë një deklarate, Steiner solli në vëmendje konferencën e donatorëve për Afganistanin të enjten, e organizuar nga Katari, Britania e Madhe dhe Gjermania. OKB-ja pritet të apelojë për një ndihmë humanitare prej 8 miliardë dollarësh.

Gjithashtu, Steiner paralajmëroi se jetët dhe burimet e jetesës së miliona afganëve janë në rrezik.

Talebanët rifituan pushtetin vitin e kaluar pas tërheqjes kaotike të forcave ndërkombëtare.

“Afganistani po përballet me një kolaps të mundshëm ekonomik, një sistem bankar të ngrirë dhe mungesë likuiditeti, me rreth 80% të popullsisë në borxhe”, sipas deklaratës.

OKB vlerëson se mbi 24 milionë banorë kanë nevojë për ndihmë humanitare. /atsh