OKB do të ndajë 20 milionë dollarë për nevojat emergjente të qytetarëve të Ukrainës

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres njoftoi se 20 milionë dollarë ndihmë urgjente do të sigurohen për qytetarët ukrainas që ndodhen nën sulmin e Rusisë

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres njoftoi se 20 milionë dollarë ndihmë urgjente do të sigurohen për qytetarët ukrainas që ndodhen nën sulmin e Rusisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në Qendrën e Përgjithshme të OKB-së në New York, Guterres tha për gazetarët se për Ukrainën do të sigurohet ndihmë financiare. “Njoftoj se nga Fondi i Qendrës për Ndërhyrje Emergjente do të ndajmë menjëherë 20 milionë dollarë për plotësimin e nevojave emergjente”, tha ai.

“Sot në territoret sovrane të Ukrainës shikojmë operacione ushtarake ruse në një përmasë që Evropa nuk i ka parë për dhjetëra vite”, tha Guterres i cili bëri thirrjen që mbrojtja e civilëve të jetë përparësia numër një dhe të mbrohet ligji ndërkombëtar i të drejtave të njeriut.

Duke iu drejtuar presidenti të Rusisë, Vladimir Putin, sekretari Guterres tha: “Presidentit Putin i përsëris thirrjen time të një dite më parë: Ndaloni operacionin ushtarak. Tërhiqni trupat në Rusi”.

Guterres tërhoqi vëmendjen mbi gabimin e operacionit ushtarak të Rusisë duke lexuar Konventën e OKB-së se “Të gjithë anëtarët në marrëdhëniet e tyre ndërkombëtare do të përmbahen nga përdorimi i çdo kërcënimi ose force që nuk përputhet me integritetin territorial ose pavarësisë politike të çdo shteti ose në kundërshtim me qëllimet e OKB-së”.

Ai vuri në dukje se vendimet që do të merren në ditët në vijim do të formësojnë botën dhe do të ndikojnë drejtpërdrejt jetën e miliona njerëzve dhe se ende nuk është vonë për ta “shpëtuar këtë brez nga problemi i luftës”. /aa