Raportuesja e posaçme e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut në territoret palestineze të pushtuara, Francesca Albanese, deklaroi se Izraeli “nuk ka asnjë autoritet ligjor” për të penguar hyrjen e organizatave humanitare dhe punonjësve të ndihmës në Rripin e Gazës dhe në pjesën tjetër të territoreve palestineze të pushtuara.
Në një deklaratë të publikuar të enjten, Albanese theksoi se “pushtimi është i paligjshëm dhe duhet të marrë fund plotësisht dhe pa kushte”, duke iu referuar vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2024. Ajo shtoi se shtetet duhet të pezullojnë marrëdhëniet me Izraelin derisa ai të respektojë të drejtën ndërkombëtare, duke e cilësuar këtë si pikënisje për paqen.
Albanese iu referua gjithashtu një deklarate të drejtorit të përgjithshëm të UNRWA-s, Philippe Lazzarini, lidhur me refuzimin e Izraelit për të rinovuar vizën e Olga Cherevko, zëdhënëse e Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) në Gaza. Ky vendim, sipas OKB-së, e pengon atë të hyjë në enklavën e rrethuar dhe përbën një tjetër kufizim serioz ndaj punës humanitare. /mesazhi





