OKB: Mbi 100 mijë civilë janë zhvendosur në Ukrainë pas ndërhyrjes ushtarake të Rusisë

Shabia Mantoo

“Besojmë se afërsisht mbi 100 mijë persona janë larguar nga shtëpitë e tyre ose mund të jenë zhvendosur brenda vendit dhe se disa mijë prej tyre mund të kenë kaluar kufijtë ndërkombëtarë”

Kombet e Bashkuara (OKB) kanë njoftuar se mbi 100 mijë civilë janë zhvendosur pas ndërhyrjes ushtarake të Rusisë ndaj Ukrainës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësja e Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët (UNHCR), Shabia Mantoo, në një konferencë për media në Zyrën e OKB-së në Gjenevë tha se, “Besojmë se afërsisht mbi 100 mijë persona janë larguar nga shtëpitë e tyre ose mund të jenë zhvendosur brenda vendit dhe se disa mijë prej tyre mund të kenë kaluar kufijtë ndërkombëtarë”.

Mantoo theksoi se brenda vendit vazhdojnë zhvendosjet dhe se ka lëvizje drejt kufijve dhe jashtë tyre. Gjithashtu ajo informoi se kanë kryer ndihmë për autoritetet ukrainase për civilët që largohen.

Ndërsa zëdhënësja e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Ravina Shamdasani, njoftoi se në sulmet ajrore dhe bombardimet e Rusisë kanë marrë raportime se kanë humbur jetën 25 civilë ukrainas dhe se 102 të tjerë janë plagosur, ndërkohë që shifra e vërtetë mund të jetë më e lartë.

“Jemi seriozisht të shqetësuar nga zhvillimet e përjetuara dje dhe përgjatë natës në Ukrainë. Po marrim lajme se janë rritur humbjet e jetëve të civilëve”, tha Shamdasani.

“Operacioni ushtarak i Rusisë shkel hapur ligjin ndërkombëtar dhe rrezikon jetë të panumërta dhe duhet të ndalohet menjëherë”, theksoi Shamdasani.

Ndër të tjera, Shamdasani theksoi se janë të shqetësuar edhe për arrestimet arbitrare të protestuesve që protestuan dje në Rusi kundër luftës.

“E kuptojmë se janë arrestuar mbi 1.800 protestues. Nuk është ende e qartë nëse janë liruar apo jo disa prej tyre”, deklaroi Shamdasani.

Më tej, ajo kërkoi lirimin e menjëhershëm të protestuesve të arrestuar. /aa