OKB: Njerëzit po vdesin nga uria në Mariupol

Kreu i Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së (WFP), David Beasley, ka paralajmëruar se njerëzit “po vdesin nga uria” në qytetin e rrethuar të Mariupolit, i cili ka qenë nën bombardime të rënda për javë të tëra.

Beasley tha se ai ka frikë se kriza humanitare e vendit do të përkeqësohet në javët e ardhshme pasi Rusia kërkon të intensifikojë sulmet e saj në lindje, raporton Sky News të premten.

“Lufta që filloi në shkurt po shkatërron njerëzit në Ukrainë”, tha Beasley, duke u ankuar për mungesën e aksesit me të cilin përballen WFP-ja dhe organizata të tjera të ndihmave, në përpjekjet për të arritur tek ata në nevojë.

Sipas tij, WFP-ja po përpiqet të vendosë furnizimet ushqimore tani në zona që mund të përfshihen në luftime, por ai e pranoi se ka “shumë kompleksitet” ndërsa situata evoluon me shpejtësi.

Mariupoli, qytet port në jug të vendit është përballur me bombardime të pamëshirshme që nga shpërthimi i konfliktit në shkurt, me mijëra njerëz që luftojnë për të pasur ushqim dhe ujë.

Vlerësimet e fundit nga Ukraina thonë se rreth 21,000 civilë janë vrarë vetëm në Mariupol. /koha