Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se ndihma humanitare për Gazën është reduktuar ndjeshëm për shkak të kufizimeve të vendosura nga Izraeli, ndërkohë që nevojat humanitare po rriten dhe kushtet e dimrit po përkeqësohen.
Zëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq, tha se agjencitë humanitare po përballen me vështirësi serioze në shpërndarjen e ndihmave, pasi kërkesat janë shumë më të mëdha se kapacitetet aktuale. Ai theksoi se kufizimet në hyrjen dhe shpërndarjen e ndihmave po e bëjnë të pamundur një reagim të plotë ndaj krizës.
Reshjet e shiut dhe ulja e temperaturave kanë rënduar situatën, veçanërisht për familjet e zhvendosura që jetojnë në strehime të përkohshme. OKB-ja njoftoi se ditët e fundit janë shpërndarë tenda, mbulesa plastike dhe batanije, por ndihmat mbeten të pamjaftueshme.
Agjencitë humanitare paralajmërojnë gjithashtu për rrezikun e hipotermisë tek foshnjat e porsalindura, ndërsa paketat ushqimore janë reduktuar dhe mbulojnë vetëm gjysmën e nevojave minimale kalorike të familjeve.
Sipas OKB-së, autoritetet izraelite janë përgjegjëse për këto kufizime, për shkak të numrit të vogël të pikave kufitare të hapura dhe ndalimeve për shumë artikuj ndihme. Edhe pse një armëpushim ka hyrë në fuqi në tetor, organizatat humanitare thonë se kushtet e jetesës në Gaza nuk janë përmirësuar ndjeshëm. /mesazhi






