OKB përshëndet ligjet e reja të Katarit për punëtorët emigrantë

Nëse zbatohen në mënyrë efektive ligjet e reja të miratuara në Katar do të shpërbëjnë skemën kufizuese të sponsorizimit nën sistemin “kafala” të Katarit dhe do të mbrojnë punëtorët migrantë nga shfrytëzimi, thanë sot ekspertët e të drejtave të njeriut të OKB-së, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Jemi shumë të inkurajuar nga hapat e guximshëm që Katari po ndërmerr për të rritur mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve migrantë dhe për të siguruar kushte adekuate të jetesës dhe punës për të gjithë”, thanë dy zyrtarë të OKB-së në një deklaratë.

Tomoya Obokata, raportuesi special për format bashkëkohore të skllavërisë dhe Felipe Gonzalez Morales, raportues special për të drejtat e njeriut të migrantëve, lëshuan një deklaratë të përbashkët mbi ligjet e reja të miratuara nga qeveria e Katarit më 30 gusht.

Ligjet e reja do të lejojnë që punëtorët migrantë të ndryshojnë vendin e punës para përfundimit të kontratës së tyre pa qenë e nevojshme të marrin më parë një certifikatë të mos kundërshtimit nga punëdhënësi i tyre.

Ata gjithashtu do të zbatojnë një pagë minimale mujore prej 1.000 rijalësh të Katarit (rreth 275 dollarë).

Përveç rritjes së pagës minimale, punëdhënësit duhet t’u sigurojnë punëtorëve strehim dhe ushqim të duhur ose shtesa të pagës.

Zyrtarët e OKB-së thanë se zbatimi efektiv i ligjeve të reja do të ndihmojë punëtorët migrantë “t’u shpëtojnë kushteve shfrytëzuese dhe abuzive të punës”.

Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, popullsia e Katarit është rreth 2.8 milionë banorë ndërsa më shumë se 2 milionë prej tyre janë punëtorë të huaj nga vendet si India, Pakistani, Nepali dhe Sri Lanka.