OKB – SHBA kërkon hetime për dronët iranianë të përdorur në Ukrainë

SHBA ka bërë thirrje për një hetim të OKB-së mbi akuzat për përdorimin e dronëve iranianë nga Rusia në luftën kundër Ukrainës, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

“OKB duhet të hetojë çdo shkelje të rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe ne nuk duhet të lejojmë Rusinë ose të tjerët të pengojnë ose kërcënojnë OKB-në nga kryerja e përgjegjësive të saj të mandatuara”, tha ambasadori amerikan Jeffrey DeLaurentis në një takim të Këshillit të Sigurimit.

Më herët, Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania i kanë bërë thirrje të ngjashme OKB-së.

Ndërkohë, ambasadori rus në OKB, Vasily Nebensya e përshkroi këtë si një “situatë të egër” dhe përsëri hodhi poshtë akuzat se dronët iranianë janë duke u përdorur në luftën kundër Ukrainës dhe paralajmëroi kundër një hetimi të OKB-së për këtë çështje.

”Nëse kjo ndodh, Rusia do të duhet të rishqyrtojë bashkëpunimin e saj me OKB-në”, tha Nebensya, duke i bërë jehonë një deklarate të ngjashme të bërë nga zëvendësi i tij, Dmitry Polyansky disa ditë më parë. /atsh