Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka theksuar se duhet të shmangen “retorikat nxitëse” në krizën Ukrainë-Rusi dhe se deklaratat publike duhet të synojnë uljen e tensioneve dhe jo përshkallëzimin e tyre.
Në një deklaratë për gazetarët në qendrën e përgjithshme të OKB-së, Guterres ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me rritjen e tensionit dhe spekulimeve në rritje për një konflikt të mundshëm ushtarak në Evropë.
“Kostoja e dhimbjes dhe shkatërrimit që një luftë e mundshme do t‘i sjellë Evropës dhe botës do të jetë shumë e madhe sa që nuk do të mund të konceptohet”, ka paralajmëruar Guterres, duke shtuar se “ne nuk mund të pranojmë madje as mundësinë e një konflikti që do të sjellë një katastrofë”.
Duke rikujtuar se të gjitha vendet duhet t‘i zgjidhin problemet e tyre në mënyrë paqësore sipas kartës së OKB-së dhe ligjit ndërkombëtar, Guterres, bëri thirrjen se “Është koha për të ulur tensionet dhe veprimet në terren. Nuk ka vend për retorika nxitëse. Deklaratat publike duhet të synojnë uljen e tensioneve dhe jo përshkallëzimin e tyre”. /atsh-aa








