Open Balkan – Case Closed!

Besim Nebiu

Pa marrë parasysh motivet politike dhe personale të braktisjes së Vuçiqit nga Edi Rama, mbyllja e Open Balkan-it është një fitore taktike për të gjithë ata që janë kundërshtarë të hegjemonisë serbe dhe Vuçiqit si bartës i saj.

Shkruan: Besim NEBIU, Shkup

Hija e tmerrshme e Sllobodan Millosheviqit dhe regjimit të tij gjenocidal asnjëherë nuk u zhduk nga politika serbe dhe, në shumë mënyra, Aleksandar Vuçiqi është jo vetëm vazhdimësi, por një modernizim imazhi, një “zbukurim” i vetë Millosheviqit. Vuçiqi ishte një bashkëpunëtor besnik i Sheshelit dhe Millosheviqit dhe qysh në kohën e pushtetit të tyre ishte një nacionalist ekstrem, shovinist dhe çetnik i përbetuar dhe radikal, ithtar i devotshëm i filozofisë agresive serbomadhe për të qenë kombi dominues dhe sundues në Ballkan, duke i nënshtruar dhe dominuar popujt fqinjë, e sidomos ata të padëgjueshmit dhe të pabindurit, si shqiptarët.

Vuçiqi, në tërë paraqitjen e qenies së tij politike, është jo vetëm një përkujtues i një të kaluare tragjike për Ballkanin, por edhe një kanosje e hapur për të ardhmen e saj. Një Millosheviq 2.0 me tesha, makiazh dhe frizurë të modernizuar për ta bërë më të pranueshëm për audiencën e shekullit 21. Si Millosheviqi, ashtu edhe Vuçiqi, ka prirje dhe talent për retorikë populiste, nacionaliste dhe për të konsoliduar tërë fuqinë në duart e veta në modalitet klasik të një autokrati.

Të dy liderët serbë pothuajse e kanë shuar opozitën dhe duke i vënë tërësisht nën kontroll partiak mediat e vendit, duke u krijuar regjimeve të tyre mundësi thuajse të pakufizuar të manipulojnë me ndjenjat publike dhe disponimin emocional të popullit serb. Boshti kyç i ndikimit të këtillë përbehet nga projeksioni i madhështisë së Serbisë, të përcjellë nga antagonizmi i fqinjëve, sidomos shqiptarëve dhe kroatëve, si dy fqinjë armiq, të instrumentalizuar nga jashtë për t’iu kundërvënë dhe armiqësuar me serbët, e deri te viktimizimi i Serbisë si target i konspiracioneve të Perëndimit për ta vënë nën kontroll dhe për ta shkëputur nga rruga “e drejtë”, rruga e vëllazërisë ortodokse serbo-ruse.

Ky është pra portreti i një autokrati tipik ballkanik, i cili e ka nënshtruar tërësisht shtetin dhe shoqërinë për t’i shërbyer nevojave të politikës së vetë autokratike. Por, ajo që e dallon nga Millosheviqi, natyrisht është koha – sot nuk janë vitet e ’90-ta – dhe Serbia e dërrmuar nga disfatat e 4 luftërave, të cilat i nxiti në këtë periudhe, tani nuk është në pozitë gjeostrategjike, politike, ushtarake dhe ekonomike të fillojë ofensiva të reja kundër fqinjëve të saj. Hapësira e ish Jugosllavisë në pjesën e saj më të madhe bën pjesë në NATO (Maqedonia e Veriut, Kroacia, Sllovenia) ose ka prani ushtarake ose politike të NATO-s (Kosova, Bosnja). Serbia as për së afërmi nuk është bossi i Ballkanit, ashtu siç ishte në vitin 1991, kur u shpërbë Jugosllavia, por duke u sjell në të njëjtën mënyrë, siç bënte atëherë, lirisht mund të themi se është kabadaiu i mëhallës në Ballkan.

Gjëja e dytë, që dukshëm po dallon, është mënyra në të cilën trajtohen Vuçiqi dhe politika e tij agresive serbomadhe nga ana e bashkësisë ndërkombëtare. Përderisa agresioni dhe abuzimet e Millosheviqit i sollën dënimin e ndërkombëtarëve, Vuçiqi duket të ketë qenë shumë më i zgjuar, duke ruajtur një pamje të respektueshme dhe progresive për botën e jashtme, përderisa i minon dhe shkatërron pikë për pike parimet demokratike në shtëpi dhe projekton po atë politikë ndaj fqinjëve si shefi i tij i mëparshëm. Pra, Vuçiqi është një jehonë e tronditshme e Millosheviqit: një variant në pamje më i butë, më modern, por që po çon përpara një trashëgimi që kërcënon të minojë të ardhmen demokratike të Serbisë dhe Ballkanit Perëndimor.

Aleksandar Vuçiqi i tillë, autokrat, mohues i gjenocidit të Srebrenicës, mohues i masakrës së Reçakut, mohues i shtetësisë së Kosovës, Bosnjës dhe Malit të Zi, ishte mentor, sponsorizues, promovues dhe kampion i projektit të ashtuquajtur “Mini Shengen”, që për shkaqe PR-i iu dha një emër edhe më bombastik “Open Balkan”.

Se pse iu bashkua Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, një Vuçiqi të tillë si shok, mik dhe partner i besueshëm në promovimin e Open Balkan-it, do e lëmë për ndonjë analizë tjetër. Të vetmen gjë që do ta themi është se duke iu qasur me entuziazmin e një jarani të paparë, Edi Rama kontribuoi në masë të madhe në normalizimin, europianizmin dhe modernizimin e imazhit të një autokrati ballkanas – në një promovues integrimi, paqeje dhe bashkëpunimi – një fiksion dhe fabrikim serb, në të cilin Rama me entuziazëm të pashoq pranoi të bëhet koautor.

Siç kemi sqaruar në analiza të mëhershme për këtë revistë, hesapi ekonomik i Open Balkan-it është më se i qartë – me të hapen plotësisht tregjet e 3 vendeve anëtare dhe përfituesi i madh, në mos i vetëm, do të ishte ekonomia e Serbisë, e cila kështu do bëhej forcë dominuese dhe mbisunduese ekonomike në tregjet e MV dhe Shqipërisë. Dihet mirë se hegjemoni ekonomik bëhet lehtë edhe hegjemon politik – “Ballkani i Hapur”. Në këtë mënyrë Vuçiqi, në paqe, do ta arrinte atë që Millosheviqi nuk e arriti me luftë.

Por, a është ky hap i ri vetëm një mjet për ta rikthyer hegjemoninë serbe mbi fqinjët e saj? A po e ndihmon kjo vetëm Serbinë dhe minon aspiratat e vendeve të tjera për t’u bashkuar me Bashkimin Europian? A është kjo ajo që e duan vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor? Për Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, aspirata e përbashkët është të bashkohen me Bashkimin Europian. “Ballkani i Hapur” shitej si zëvendësim për këtë aspiratë. Është e rëndësishme të theksohet se “Ballkani i Hapur” nuk është dhe nuk ka qenë asnjëherë zëvendësim për zgjerimin e Bashkimit Europian. Kryeqytet i Bashkimit Europian është Brukseli, në të bëhet vendimmarrja dhe në të zhvillohen politikat e përbashkëta të kontinentit europian. Beogradi, as simbolikisht as praktikisht, nuk është Bruksel dhe as që ka aspirata të jetë i tillë.

Tërheqja përfundimtare e Edi Ramës nga Open Balkan-i simbolizon fundin definitiv të përkrahjes së tij për krijimin e këtij integrimi serbocentik. Kthimi i tij në Procesin e Berlinit, një iniciativë e njëmendtë e BE-së, që i parapriu Open Balkan-it dhe që përkrahej edhe nga Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja, dhe që nuk është projekt i Serbisë, por i Europës, është një lajm shumë i mirë. Fundi i aventurës së Ramës me Vuçiqin mund ta hapë rrugën për ta përgatitur vërtetë tregun ballkanik për aderim të përbashkët në tregun e madh europian. Natyrisht se Berlini i shërben Edi Ramës si një alibi dhe arsyetim para Vuçiqit, për ta lënë në baltë në gjysmë të rrugës, por kjo lënie në baltë e Vuçiqit është gjë e mirë edhe për Shqipërinë, por edhe për rajonin.

Prandaj, pa marrë parasysh motivet politike dhe personale të braktisjes së Vuçiqit nga Edi Rama, mbyllja e Open Balkan-it është një fitore taktike për të gjithë ata që janë kundërshtarë të hegjemonisë serbe dhe Vuçiqit si bartës i saj. Një mundësi për një Ballkan Europian, të ndërtuar me synim të njëmendtë për të qenë një ditë pjesë e barabartë e Europës. Për një rrugëtim të tillë nuk na duhen liderë të çiftit të Vuçiqit dhe Ramës, por politikanë demokratë që e shtyjnë agjendën europiane përpara! /revistashenja