Operacioni antidrogë i Policisë së Kosovës (Foto)

Operacioni antidrogë i Policisë së Kosovës vë në pranga tre (3) pesona të dyshuar dhe konfiskohen armë, municione, drogë, telefona, automjete, pajisje të ndryshme dhe para.

Në përpjekjet e vazhdueshme të Policisë së Kosovës për parandalimin dhe luftimin e dukurive negative, në veçanti luftimin e trafikimit me narkotikë, me datën 29.03.2018, gjatë implementimit të planit operativ “Stop drogave nëpër shkolla”, njësitet e antidrogës së PK-së, në bashkëpunim me prokurorinë kompetente, pas ndërmarrjes së një sërë veprimesh hetimore dhe operacionale, në fshatin Miradi e Epërme në Fushë Kosovë kanë arrestuar tre (3) persona të dyshuar: (B. L., A. G. dhe A. G.) të përfshirë në veprat penale ‘blerje, posedim, shitje ose shpërndarje e paautorizuar e substancave narkotike’ dhe ‘mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.

Gjatë operacionit policor përveç sasisë së konfiskuar prej 8 kg e 525gr të substancës së dyshuar të llojit marihuanë, me urdhër të prokurorit kompetent është kontrolluar edhe shtëpia e të dyshuarit (B. L.), në Prishtinë, me ç’rast janë konfiskuar edhe dëshmi tjera relevante, si:

revole ngjyrë e zezë model Zoraki MO2 914-B me një karikator dhe 6 fishekë të kalibrit 7.62 mm
revole ngjyrë e zezë model M-906 –B pa karikator dhe pa fishek

revole e llojit Ekol Special ngjyrë e zezë me një karikator dhe 7 fishekë të kalibrit 7.62 mm
njëzet e shtatë (27) fishekë të kalibrit 7.62 mm

një sprej OC me mbishkrim NATO ngjyrë e gjelbër

4 paketime të formave dhe madhësive të ndryshme me narkotikë të llojit marihuanë me peshë të përgjithshme prej 312.5 gramë

një ambalazh plastik mbushur me pluhur ngjyrë të bardhë e dyshuar si narkotikë të llojit kokainë me peshë të përgjithshme prej 98.7 gramë me mbështjellës

një peshore digjitale ngjyrë e zezë model SCALE dhe 350 qese të zbrazura plastike, për paketimin e substancës narkotike gjatë shpërndarjes.

një mulli që përdoret për bluarjen e narkotikëve.

Nga personat e dyshuar janë konfiskuar dy veturat e përdoruara në rast, 4 telefona celularë dhe 690 euro para të gatshme.

Bazuar në hetimet e realizuar prejardhja e substancës narkotike ishte nga Republika e Shqipërisë dhe për destinacion kishte Prishtinën.

Me aktvendim të prokurorit kompetent të dyshuarit dërgohen në qendrën e mbajtjes, kurse rasti i mbetet në kompetencë Njësitit Antidrogë të Prishtinës për hetim të mëtejmë.

Policia e Kosovës mbetet fuqishëm e përkushtuar për luftimin e trafikimit me substanca narkotike dhe rikonfirmon se masa rigoroze do të zbatohen ndaj të gjithë personave të dyshuar të involvuar në veprime të tilla të kundërligjshme.