Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Oportunizmi i përshtirë “fetar” i Edi Ramës

Oportunizmi i përshtirë “fetar” i Edi Ramës

Kryeministri i ngjan tregtarit famëkeq të flamujve në tregimin e Ernest Koliqit…

Edi Rama duket se ka ndërtuar një karrierë politike, ku besimi fetar nuk trajtohet si një marrëdhënie intime e individit me Zotin, por si një instrument plastik që modelohet sipas audiencës së radhës.

Ky kameleonizëm, që kalon nga ironia e dikurshme te servilizmi i sotëm, dëshmon për një mungesë totale të devotshmërisë reale, duke e zëvendësuar atë me një pragmatizëm cinik dhe një lloj “tregtie” me simbolet e shenjta.

Në fillesat e tij, veçanërisht si Kryetar Bashkie dhe lider i opozitës, Rama nuk ngurronte të keqpërdorte ajetet e shenjta K’uranore si mjete sarkazme dhe ironie kundër kundërshtarëve politikë. Ky abuzim tregonte një mospërfillje arrogante ndaj ndjenjave të besimtarëve.

Sot, i njëjti person shtron iftare dhe reciton thënie profetike me një zell të shtirur, jo sepse ka pësuar një transformim shpirtëror, por sepse ka kuptuar fuqinë elektorale të komunitetit mysliman.

Kjo lojë me “kartat e Zotit”, shtrihet deri në detajet e biografisë së tij, të cilat shpesh ngjajnë me një mitomani politike. Kështu pretendimi i disa viteve më parë se është pagëzuar fshehurazi si katolik në vitin 1964 – ndërkohë që prindërit e tij ishin pjesë e elitës së regjimit dhe familjarë të afërt të anëtarit të Byrosë Politike, Spiro Kolekës – sfidon çdo logjikë historike të asaj kohe brutale.

Analiza e ftohtë e fakteve, sugjeron se ky është një ndërtim artificial i biografisë, i sajuar për t’u shitur te Selia e Shenjtë dhe komuniteti katolik si një profil i përshtatshëm politik. Edhe përpjekja e tij e vitit 1991, së bashku me Spartak Ngjelën, për të krijuar një parti “Kristian-Islamike”, vërteton se feja për Ramën ka qenë gjithmonë një mjet për të siguruar mbështetje përmes manipulimit të identiteteve.

Në arenën ndërkombëtare, ky oportunizëm merr trajta edhe më groteske. Ndërsa në Shqipëri flet për “vëllazëri ndërfetare”, në Knesset-in izraelit kaloi në një servilizim të pashoq, duke deklaruar me zell se djali i tij as 12-vjeçar është gati të konvertohet në Judaizëm.

Një deklaratë e tillë, tradhton çdo pretendim për devotshmëri ndaj rrënjëve të veta dhe e nxjerr zbuluar politikën e tij: feja është një “kostum” që mund të ndërrohet sipas protokollit të shtetit që viziton.

Pra për Edi Ramën, besimet nuk janë shtylla vlerash, por mallra në tregun e ndikimit, duke u konfirmuar kështu si një udhëheqës që nuk njeh asnjë tempull përveç atij të pushtetit./tesheshi