Opozita dorëzon kërkesën për seancë të jashtëzakonshme

Opozita sot ka dorëzuar kërkesën për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për të shprehur qëndrimin institucional kundër cenimit të territorit të Republikës së Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se duke parë gatishmërinë e shumicës së grupeve parlamentare për të mbështetur këtë qëndrim, rezoluta do të aprovohet me mbi 80 vota.

“Nuk ka mekanizëm politik më të fuqishëm për të shprehur vullnetin e qytetarëve të Kosovës, përmes deputetëve të Kuvendit të Kosovës, si të zgjedhur të qytetarëve. Askush nuk duhet të ketë guxim të ndërmarrë hapa që bien në kundërshtim me vullnetin e shumicës dërmuese të deputetëve në Kuvendin e Kosovës”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Sipas tij, rezoluta e Kuvendit të Kosovës është e obligueshme për të gjithë.

Nëse dikush vepron ndryshe, atëherë bie ndesh me rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe pasojat kushtetuese dhe politike janë të ditura.

“Kjo rezolutë do të dërgojë tek miqtë tanë ndërkombëtarë, që kanë ndihmuar shtetin e Kosovës të arrijë në këtë pikë ku është tani, vullnetin e qartë të qytetarëve të Kosovës se nuk janë të gatshëm të negociojnë për territorin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai.