Opozita kritikon mospjesëmarrjen e pushtetit në seancën e jashtëzakonshme për Policinë

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se është e papranueshme dhe ikje nga përgjegjësia, mospjesëmarrja e mazhorancës në seancën e jashtëzakonshme në Kuvend të ftuar sot për Policinë e Kosovës.

Abelard Tahiri i ka bërë thirrje kryekuvendarit të Kosovës, Glauk Konjufca, që të sqarohet në mbledhjet e ardhshme, e të arrihet dakordim që seancat e jashtëzakonshme të mbahen edhe pa praninë e 61 deputetëve.

“Është e papranueshme mospjesëmarrja dhe ikja nga përgjegjësia e kësaj mazhorance. Mbi 50 për qind të votuar të qytetarëve, dhe shihni sallën sot. Këta i ikin mbështetjes së policisë. Të kemi dakordim në kryesi që seancat e jashtëzakonshme që ftohen nga 1/3 e deputetëve, duhet të mbahen pavarësisht se a janë 61 deputetë e jo. Të ju japim kohë deri të hënën e nga java e tjetër të shqyrtohet kjo”, ka thënë Tahiri. “Sot ky vend duhej të tregonte unitet më tepër se kurrë për Policinë e Kosovës. Njerëzit e parë që e vënë jetën e tyre në rrezik janë policët. Si me rastin e Afrim Bunjakut. Me ikë nga një seancë të tillë sot, është turp i madh”.

Kryekuvendari Glauk Konjufca ka thënë se do të diskutohet çështja në mbledhje të kryesisë.

“Thirrja e seancës është e përcaktuar me Kushtetutë, por çfarë do të thotë thirrje, a do të thotë mbajtje e seance? Ne mund ta ndajmë në kryesi, të themi se seanca mund të mbahet e vendimet nuk mund të merren pasi s’janë krijuar kushtet”, ka thënë Konjufca.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë se është për keqardhje, turp dhe e pamoralshme mungesa e shumicës parlamentare në seancën për Policinë e Kosovës.

“Është jo e moralshme që të përsëriten fotografitë e njëjta, lotët e krokodilit për policët që humbin jetën duke mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial, por edhe kushtetutshmërinë e ligjshmërinë në tërë territorin e Kosovës”, ka theksuar Zemaj.

Ai ka thënë se LDK-ja kërkon që pjesë e rezolutës së propozuar nga PDK-ja të bëhet edhe kërkesa për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për Policinë e Kosovës.

Zemaj ka theksuar se mendon që debati për Policinë e Kosovës duhet të mbahet e mandej për vendimmarrje të priten edhe deputetët e pushtetit, pasi që votimi i propozim-rezolutës s’mund të bëhet pa pjesëmarrjen e tyre.

Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, Ai ka thënë se ata mund të debatojnë por se debati ka kuptim vetëm nëse në seancë është edhe kryeministrit Albin Kurti.

“Ne mund të shprehemi, por mendoj që duhet të kthehemi në Kryesinë e Kuvendit të diskutojmë, dhe t’u themi a po duan a jo, atëherë nëse janë aq të fortë e që po i thonë popullit që janë aq të fortë, eja të shkojmë në zgjedhje, të ballafaqohemi, por nuk ja mban me u ballafaqu të nderuarit, vetëm ia mban të diskutojë, të flasë, të mashtrojë e të na akuzojë neve por asnjëherë të ballafaqohet, le të ballafaqohet me sovranin e sheh a e merr më shumicën”, është shprehur Tahiri.

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, ka thënë se nuk ka parë askund në botë që pushteti ta bojkotojë Kuvendin.

E deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, e ka quajtur jodemokratike sjelljen e pushtetit.

“Ikja nga pyetjet parlamentare është jodemokratike, ikja nga raportimi i ministrave në komisione është jodemokratike, ikja nga debati është jodemokratik, por çka është më jodemokratike, është se po na pamundësohet të hetojmë në Komisionin Hetimor Parlamentar”, ka thënë Kica-Xhelili.

Ajo i ka bërë thirrje kryekuvendarit Glauk Konjufca që të bëjë kërkesë për opinion ligjor dhe të përjashtojë tre anëtarë të VV-së për mungesa të paarsyeshme.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, i ka thënë kryekuvendarit të lirojë karrigen ose t’i bëjë ftesë subjektit politik të cilin e përfaqëson që të vijë në seancë.

E Konjufca tha se pajtohet dhe u largua.

“Seancën le ta udhëheqë ose nënkryetari i PDK-së ose i LDK-së”, tha Konjufca.

Por, seanca nuk vazhdoi.