Opozita: Nuk ka konsensus për versionin aktual të Demarkacionit

Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes “Vetëvendosje”, Zgjim Hyseni, ka thënë se marrëveshja e 26 gushtit është e vdekur falë rezistencës së opozitës, qytetarëve dhe disa deputetëve të koalicionit qeverisës.

Më tej ai ka thënë se në këtë kohë nuk mund të pritet që të ketë konsensus ndërmjet koalicionit qeverisës dhe opozitës. Hyseni ka thënë se nuk ka nevojë për konsensus apo kompromis.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka thënë se me insistimin dhe vendosmërinë e qytetarëve, opozitës dhe shoqërisë civile (ekspertëve), si dhe të disa deputetëve të koalicionit qeverisës është nxjerrë e vërteta për Marrëveshjen e Vjenës. Prandaj, sipas tij, kryeministri nuk duhet të tentojë të bëjë kompromise. Lekaj thotë se ky proces duhet të kthehet nga fillimi.

Ai gjithashtu ka thënë se çdo tendencë për ta riproceduar këtë marrëveshje në versionin aktual, është mosrespekt për zërin kundërshtues të qytetarëve dhe të opozitës që të pezullohet marrëveshja deri në kthimin në vija të sakta të kufirit.