Opozita organizon protestë në Shqipëri, seanca parlamentare përfshihet nga tensionet

Në Shqipëri është organizuar një protestë e thirrur nga deputetë të opozitës nga Partia Demokratike dhe jashtë grupeve parlamentare, sipas tyre për të kërkuar “respektimin e të drejtave të tyre”, raporton Anadolu.

Protesta me sloganin “Opozita në aksion” është organizuar para selisë së sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, gjatë seancës parlamentare dhe pas përfundimit të saj, seancë e cila u përfshi përsëri nga tensionet.

Gjatë protestës së opozitës u shënuan edhe përplasje dhe incidente, pasi disa nga protestuesit kanë hedhur tymuese, si dhe u përplasën me punonjësit e policisë.

Në fund, protestuesit kanë marshuar drejt ndërtesës ku ndodhet banesa e ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, ndaj të cilit është në fuqi masa “arrest në shtëpi”, i dyshuar sipas autoriteteve për korrupsion.

Sërish tensione në seancën parlamentare

Ndërkohë, gjatë kohës së protestës dhe para nisjes së seancës parlamentare u shënuan tensione dhe përplasje mes deputetëve të opozitës dhe punonjësve të Gardës së Shqipërisë, në hyrje të sallës së seancave plenare.

Punonjësit e Gardës nuk kanë lejuar të hyjnë në sallë disa deputetë të opozitës të përjashtuar nga punimet e parlamentit për shkak të tensioneve në seancat e kaluara, ndërkohë disa deputetë kanë hyrë me forcë në sallën e seancave plenare.

Deputetët e opozitës nuk kanë lejuar vazhdimin e diskutimeve në seancë, pasi janë përplasur me punonjësit e Gardës, ndërkohë seanca kishte në rendin e ditës diskutimet për çështjet e evidentuara në zonat zgjedhore të deputetëve.

Në mes të tensioneve, disa deputetë të partisë në pushtet, Partisë Socialiste të Shqipërisë, diskutuan për disa çështje të evidentuara nga zgjedhësit dhe çështje të tjera, ndërsa për shkak të tensioneve seanca zgjati rreth 16 minuta dhe u mbyll nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla.

Deputetët e opozitës nga Partia Demokratike (PD) dhe jashtë grupeve parlamentare vazhdojnë bllokimin e diskutimeve në seancat parlamentare dhe komisionet parlamentare, sipas tyre për të kërkuar “respektimin e të drejtave të tyre”.

Qëndrimet e deputetëve të opozitës në seancat e fundit parlamentare janë në vazhdën e tensioneve në Kuvend që në fund të vitit 2023. Seancat e Kuvendit të Shqipërisë në muajit e fundit të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti u përfshinë nga tensionet, pasi sipas deputetëve të opozitës nuk respektohen të drejtat e tyre dhe nuk miratohen në Kuvend nismat dhe kërkesat e tyre.