Osmani niset për vizitë zyrtare në Estoni

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është nisur për vizitë zyrtare në Estoni.

Përmes një statusi në Facebook, Osmani ka thënë se në takim me autoritetet shtetërore estoneze do të fokusohet në bashkëpunimin bilateral, procesin e integrimit evropian dhe agjendën transformuese digjitale.

Po ashtu Osmani ka thënë se kjo vizitë do të jetë një mundësi e mirë për krijimin e urave të bashkëpunimit dhe promovimin e kompanive kosovare në vendin që njihet në nivel global për zhvillim të sektorit të teknologjisë informative.

Ky është statusi i saj i plotë:

 

Rrugës për në Tallin, Estoni, për vizitë zyrtare me ftesë të autoriteteve shtetërore estoneze. Do të fokusohemi në bashkëpunimin bilateral, procesin e integrimit evropian dhe agjendën transformuese digjitale. Në delegacion me mua do të jenë edhe Mërgim Cahani (Gjirafa), Jeta Zagraxha (UCX) dhe Uranik Begu (ICK). Një mundësi e mirë për krijimin e urave të bashkëpunimit dhe promovimin e kompanive kosovare në vendin që njihet në nivel global për zhvillim të sektorit të teknologjisë informative.