Osmani: Rikthimi i regjimit të vizave, vrasje për dialogun

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se rikthimi i regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës, i cili pritet të hiqet nga 1 janari i vitit 2024, do të ishte vrasje për dialogun, Kosovë-Serbi.

Ajo këtë e ka thënë kur është pyetur për deklaratën e presidentit të Francës, Emanuel Macron, i cili ka përmendur edhe pezullimin e vizave për Kosovën nëse palët nuk sillen në mënyrë të përgjegjshme.

Osmani ka thënë se nëse dikush dëshiron të mos ketë dialogun atëherë merr masa të tilla, që sipas saj, janë kundër qytetarëve të Kosovës, raporton teve1.info

“Paralajmërimi i rikthimit të regjimit të vizave do të thoja se kjo do të ishte mënyra më efektive për ta vrarë dialogun një herë e përgjithmonë. Në qoftë se dëshiron dikush që mos të ketë dialog, atëherë merr masa të tilla që janë masa ndëshkuese ndaj popullit të Kosovës, nuk janë ndaj ndonjë lideri. Besoj shumë që as nuk do të vij deri tek ajo punë, Kosova i ka plotësuar dhe stërplotësuar kriteret. Kosova e ka merituar heqjen e vizave nuk është që i është dhënë dhuratë”, ka thënë Osmani të mërkurën para medieve.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka paralajmëruar masa ndaj Kosovës e Serbisë nëse dy shtetet sipas tij nuk sillen në mënyrë të përgjegjshme.

Macron në fjalimin vjetor para ambasadorëve tha se shteti i tij dhe Gjermani i kanë bërë të qarta zotimet

“Franca e Gjermania kanë bërë zotime sa i përket politikave të vizave dhe çështje tjera ekonomike, nëse palët dështojnë të sillen me përgjegjësi. Duhet të jemi vigjilentë veçanërisht në këtë aspekt, veçanërisht kur bëhet fjalë për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, tha Macron.