Pa nam e nishan! Pse 100 mijë njerëz “vetë-zhduken” çdo vit në Japoni

Jōhatsu, është fenomeni i çuditshëm në Japoni, për të cilin me siguri nuk dinit asgjë! I referohet njerëzve që krejt vullnetarisht i “arratisen” jetës së tyre në një moment, duke mos lënë asnjë gjurmë pas për familjarë, miq apo të afërm. Fenomeni që në ‘gjenezën’ e vet është japonez, ka prekur përgjatë viteve edhe Shtetet e Bashkuara, Kinën, Korenë e Jugut, Britaninë e Madhe apo Gjermaninë.

Thuhet se arsyeja kryesore që i ka çuar mijëra japonezë në një vendim të tillë është kultura e ashpër e punës atje, plus mungesës së mbështetjes komunitare. Përshembull diçka që duhet theksuar është fakti se atje “konsiderohet turp të heqësh dorë nga një punë apo kompani”. Është një lloj presioni shoqëror që ka çuar edhe në raste vetëflijimesh.

Për herë të parë, jōhatsu lindi si term në vitet 1960 për njerëzit që të pakënaqur nga martesa e tyre shkonin drejt divorcit. Edhe në vitet ’90 pati një rritje masive të njerëzve që humbën vendet e punës apo grumbulluan borxhe.

Është vlerësuar se rreth 100 mijë japonezë zhduken çdo vit! E si ndodh kjo?

Ekzistojnë disa faqe online që u “gjenden” njerëzve në gjendje të tillë, sigurisht me kosto financiare, ku japin një sërë udhëzimesh.

Kjo tregon se bota në fakt i vë njerëzit përballë zgjedhjeve, hera-herës edhe mizore. Ka tre opsione, fiton garën, nënshtrohesh ose vdes! E në Japoni, duket se një kategori njerëzish kanë gjetur një alternativë tjetër. Atë të bërjes gati të valixheve duke lënë gjithçka pas…

Ikin dhe thjesht nuk kthehen më kurrë!