Pakistani përpiqet të menaxhojë krizën e energjisë me kursime

Kriza energjetike në Pakistan e cila po përjetohet për shkak të disbalancës mes furnizimit dhe kërkesës për energji elektrike, po tentohet të vihet nën kontroll me kursime, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmeve në shtypin kombëtar, rajoni Sindh me qëllim kursimin e energjisë elektrike njoftoi se dyqanet do të mbyllen në orën 21:00 ndërsa pas kësaj e njëjta praktikë është zbatuar edhe një Punjab dhe Islamabad.

Sipas vendimit, për kursimin e energjisë elektrike në rajonin Punjab dhe në kryeqytetin Islamabad dyqanet do të mbyllen në orën 21:00 dhe restorantet në 23:00. Ndërsa sallat e dasmave do të jenë të mbyllura jo më vonë se në 22:00.

Bashkë me këtë nga kjo praktikë janë mbajtur jashtë farmacitë, spitalet, furrat, stacionet e karburanteve dhe fruta-perime shitësit.

Vihet në dukje se qeveria ka ndërmarrë një hap të tillë për të reduktuar diferencën mes furnizimit dhe kërkesës për energji elektrike.

Furnizimi me energji elektrike në Pakistan është 21.200 megavat ndërsa kërkesa është 28.200. Ka një diferencë prej 7 mijë megavat mes furnizimit dhe kërkesës.

– Ndërprerja elektrike për disa orë

Pakistani prej muajsh ndodhet përballë vështirësive ekonomike për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimeve, vajit dhe karburanteve.

Përveç kësaj ka edhe ndërprerje të energjisë elektrike në të gjithë vendin, përfshirë edhe kryeqytetin Islamabad. Ndërprerjet e energjisë elektrike në një periudhë të rritjes së temperaturave të motit vendosin në vështirësi qytetarët.

Për të arritur balancën mes furnizimit dhe kërkesës për energji elektrike, ndërprerjet e energjisë në maj dhe në qershor arritën në 10-12 orë në qytete dhe 14-16 orë në zonat rurale. Pamjaftueshmëria e gazit natyror, naftës dhe qymyrit në centralet elektrike, tregohet ndër arsyet e kësaj situate.

Qeveria e kryeministrit Shahbaz Sharif, situatën aktuale e lidh me keqmenaxhimin e sektorit të energjisë nga ish-qeveria e Imran Khan. /aa