Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Pakistani shpreh shqetësim për marrëveshjen e uraniumit midis Indisë dhe Kanadasë

Pakistani shpreh shqetësim për marrëveshjen e uraniumit midis Indisë dhe Kanadasë

Pakistani sot shprehu shqetësim për një marrëveshje afatgjate mes Indisë dhe Kanadasë për furnizimin me uranium dhe bashkëpunimin në teknologjinë e reaktorëve bërthamorë, duke paralajmëruar se kjo marrëveshje mund të ketë pasoja serioze strategjike për rajonin, transmeton Anadolu.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Tahir Andrabi tha se Islamabadi e ka “shënuar me shqetësim” marrëveshjen për furnizim me uranium dhe bashkëpunimin e mundshëm midis dy vendeve për reaktorë të vegjël modularë dhe teknologji të avancuara bërthamore.

“Kjo marrëveshje përfaqëson një tjetër përjashtim specifik për një vend në fushën e bashkëpunimit civil bërthamor”, tha Andrabi në një deklaratë.

“Ajo është veçanërisht ironike duke pasur parasysh se testi bërthamor i Indisë në vitin 1974, i kryer duke përdorur plutonium të prodhuar në një reaktor të furnizuar nga Kanadaja për qëllime paqësore, çoi drejtpërdrejt në krijimin e Nuclear Suppliers Group (NSG)”, shtoi ai.

Andrabi tha se India nuk i ka vendosur të gjitha objektet e saj bërthamore civile nën garancitë e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) dhe as nuk ka ndërmarrë ndonjë angazhim detyrues për ta bërë këtë sipas marrëveshjes së re.

“Pasojat strategjike janë po aq shqetësuese”, paralajmëroi Andrabi duke shtuar se furnizimet e sigurta me uranium nga jashtë mund të lirojnë në mënyrë efektive rezervat e brendshme të Indisë për përdorim ushtarak.

Sipas tij, furnizime të tilla mund të mundësojnë zgjerimin e rezervave të materialeve të ndashme të Indisë, të përshpejtojnë rritjen e arsenalit të saj bërthamor dhe të thellojnë asimetritë ekzistuese në balancën strategjike në Azinë Jugore.

Andrabi argumentoi më tej se marrëveshja minon angazhimet e Kanadasë ndaj regjimit ndërkombëtar të mos-përhapjes së armëve bërthamore dhe detyrimet e saj në këtë kuadër.

Nuk pati një reagim të menjëhershëm nga New Delhi ndaj deklaratës së fundit të Islamabadit.

Të hënën, India dhe Kanadaja nënshkruan marrëveshje afatgjatë për furnizimin me uranium, me vlerë të raportuar prej 1.9 miliard dollarësh, që synon zgjerimin e projekteve të prodhimit të energjisë bërthamore në Indi gjatë vizitës së kryeministrit kanadez Mark Carney në New Delhi.