Palestinë, shpallet 3 ditë zie pas vrasjes së 9 palestinezëve nga ushtria izraelite

Presidenti i Palestinës, Mahmoud Abbas, shpalli tri ditë zie pasi nëntë palestinezë humbën jetën në bastisjen që forcat izraelite kryen në kampin e refugjatëve Jenin në veri të Bregut Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmit të televizionit zyrtar të Palestinës, flamujt palestinezë u ulën në gjysmështizë pasi Abbas shpalli tri ditë zie për personat që humbën jetën në Jenin.

Edhe administrata palestineze pas bastisjes së ushtrisë izraelite mbajti mbledhje të jashtëzakonshme.

Hamas : Përgjigja ndaj Izraelit nuk do të vonojë

Ndërkohë, lëvizja e rezistencës palestineze Hamas ka reaguar ashpër ndaj bastisjes në Jenin ku u vranë nëntë palestinezë.

Nënkryetari i Byrosë Politike të Hamasit, Saleh al-Aruri, në një deklaratë me shkrim tha se “Izraeli do të paguajë çmimin e masakrës që ka kryer në kampin Jenin”.

“Përgjigja e Hamasit ndaj Izraelit nuk do të vonojë”, tha Al-Aruri, i cili u bëri thirrje grupeve palestineze për rezistencë në të gjitha rajonet nën pushtim.

Ndryshe, në bastisjen që forcat izraelite kryen sot në kampin e refugjatëve Jenin u vranë nëntë palestinezë. Ministria palestineze e Shëndetësisë njoftoi se gjatë bastisjes janë plagosur po ashtu 20 palestinezë, katër prej të cilëve rëndë.

Që nga fillimi i vitit, gjithsej 29 palestinezë, përfshirë pesë fëmijë, kanë humbur jetën si pasojë e zjarrit të hapur nga ushtarët izraelitë në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.