(Pa)mundësia e shqiptarëve për t’u identifikuar me Maqedoninë

Fillimisht si pjesë e Mbretërisë së Jugosllavisë, shqiptarët në këto territore konsideroheshin nga pushteti serb/jugosllav si mish i huaj, i cili duhej të hiqej sa më parë. Argument për këtë janë edhe marrëveshjet ndërshtetërore me R. e Turqisë për shpërnguljen e popullsisë. Por, edhe shqiptarët të cilët para luftërave ballkanike kishin qenë të integruar në sistemin politik dhe shtetëror të P. Osmane, tashmë e ndjenin pushtetin e ri si të huaj dhe e konsideronin veten të pushtuar.

Enis BAFTIJARI, Shkup

Duke u nisur nga shekulli i 19-të e këndej, fillimisht si nocion gjeografik e pastaj edhe si subjekt i së drejtës ndërkombëtare, emri Maqedoni gjithmonë ka simbolizuar telashe pothuajse të pazgjidhshme të vorbullës ballkanike, si për shtetet ballkanike, ashtu edhe për fuqitë e mëdha, e që nuk i ka lënë pa tanguar as shqiptarët. Fillimisht si rajon gjeografik nën kontrollin osman dhe i gjendur në qendër të teatrit ballkanik, i rrethuar nga fqinjët lakmitarë, përjashtuar Shqipërinë, Maqedonia ishte shndëtruar në një makth të vërtetë për vetë sulltanin Abdylhamidin II, saqë në kujtimet e tij ai heziton edhe ta përmendë emrin Maqedoni, duke theksuar se ka mëri ta përmend këtë emër. Më vonë, gjatë dhe pas luftërave ballkanike, këtë makth do ta trashëgojnë shtetet e reja dinamike dhe në rritje të Ballkanit Jugor, në përpjekje se kush do të marrë për vete më shumë pjesë nga ky rajon gjeografik. Por, drama e quajtur Maqedoni, e cila vazhdon të jetë aktuale edhe sot e kësaj dite, filloi të thellohet edhe më tepër pas ndarjes së këtij rajoni nga tre shtetet ballkanike, pra Greqisë, Bullgarisë dhe Serbisë (më vonë Jugosllavisë). Pas ndarjes së territorit gjeografik (nga e cila ndarje ngelën ende pakënaqësi) filloi problemi i ri lidhur me popullsinë që banonte në këtë rajon, si dhe me përkatësinë identitare të saj. Edhe pse në territoret e fituara nga Greqia dhe Bullgaria problemi i identitetit të popullsisë u zgjidh disi, duke shkëmbyer popullsi mes vete, por edhe nga fakti se popullsia sllave e kishte më lehtë të integrohet në korpusin kombëtar bullgar për shkak të përkatësisë në masë të madhe në Ekzarhinë Bullgare dhe afërsisë gjuhësore, megjithatë problemi më i madh në këtë aspekt lindi në pjesën e rajonit gjeografik të Maqedonisë së fituar nga Serbia (pas vitit 1918-të Mbretëria SKS dhe pastaj Mbretëria e Jugosllavisë). Fillimisht, sepse popullsia sllave e këtij rajoni ndjente afërsi më të madhe me Ekzarhinë Bullgare e, si rrjedhojë, edhe me identitetin dhe shtetin bullgar (vetëm vonë pas pushtimit serb filluan disa zëra që pretendonin për një identitet të veçantë maqedonas, por këta ishin shumë të paktë). Gjithashtu, edhe Organizata e Brendshme Revolucionare Maqedonase (e njohur si VMRO) ishte shumë aktive në këtë rajon dhe kishte lidhje të forta me qeverinë bullgare, si dhe luftonte kundër pushtimit të këtyre trojeve nga ana e Serbisë, por edhe për nga përqindja e madhe e popullsisë shqiptare, e cila banonte në pjesën veriperëndimore të rajonit gjeografik të quajtur Maqedoni asaj kohe (pa e përfshirë këtu Vilajetin e Kosovës).

Finalja e dramës së quajtur Maqedoni, pas fillimit të shuarjes së zjarrit në Maqedoninë Greke dhe Bullgare, filloi të luhej në Maqedoninë Jugosllave të ASNOM-it. Pasi u formua Republika Socialiste e Maqedonisë, në kuadër të federatës jugosllave, asaj iu inkorporuan edhe shumë territore të cilat historikisht nuk kishin qenë të njohura si pjesë e rajonit gjeografik të Maqedonisë dhe që banoheshin kryesisht nga shqiptarët. Pas ASNOM-it ndryshoi shumëçka, duke u komplikuar, thelluar dhe për shumë vrojtues gati duke u bërë e pakuptimtë kjo dramë.

Rrjedhimisht, kësaj republike të re për të qenë e qëndrueshme i nevojitej edhe një identitet i ri. Pikërisht çështja e identitetit të ri të kësaj republike të re e bëri edhe më enigmatik kontestin për Maqedoninë. Përderisa ka zëra që thonë se Kominterni ose Internacionalja Komuniste e themeloi këtë republikë të re, me qëllime gjeopolitike në mënyrë që ta luajë rolin e një tampon zone në qendër të Ballkanit në mes fqinjëve të hasmuar, pikërisht ky vendim duket sikur e thelloi edhe më tepër problemin e Maqedonisë. Një problem, i cili përkohësisht, sa ishte në jetë federata komuniste jugosllave, dukej sikur ishte hequr nga prioritetet e agjendave gjeopolitike. Mirëpo, problemi u rishfaq me vrull të madh dhe me rreziqe për kanosjen e sigurisë rajonale menjëherë pas shpërbërjes së federatës jugosllave dhe shpalljes së pavarësisë së Republikës së Maqedonisë. Tani më ky shtet i ri u bë mollë sherri pothuajse për të gjithë fqinjët e tij. Greqia ia kontestonte emrin dhe pretendimin për rrënjët antike të identitetit të kombit të ri. Bullgaria ia kontestonte gjuhën dhe identitetin dhe pretendonte se banorët me origjinë sllave të këtij shteti në fakt janë me prejardhje bullgare. Serbia ia kontestonte kishën ortodokse, por edhe qarqet nacionaliste serbe nuk hezitonin të kërkonin revizionim të politikës komuniste jugosllave, me pretendimin se ajo i kishte dëmtuar serbët, duke ua marrë territoret “serbe” që para komunizmit i kishin quajtur Banovina Jugore ose e Vardarit. Për këto pretendime, fqinjët e shtetit të ri shtronin lloj-lloj argumentimesh, si të aspektit historik, po ashtu edhe të aspektit real politik. Serbët e quanin “djepi i Serbisë së vjetër mesjetare”, por edhe bullgarët e quanin “djepi i civilizimit dhe kulturës bullgare”, sepse të dyja këto shtete/mbretëri mesjetare e kishin pasur për një periudhë nën sundim territorin e tashmë shtetit të ri të Maqedonisë.

Kështu edhe për shqiptarët u bë një problem shteti i ri ose republika e re në kuadër të Jugosllavisë Federale. Si e tillë u formua ajo nga pushteti komunist jugosllav, duke përfshirë shumë territore të banuara nga shqiptarët, të cilat i kishte fituar Serbia në Konferencën e Londrës si plaçkë luftë kundër Perandorisë Osmane. Problemet për shqiptarët e Republikës së Maqedonisë i kanë rrënjët nga koha e luftërave ballkanike. Fillimisht si pjesë e Mbretërisë së Jugosllavisë, shqiptarët në këto territore konsideroheshin nga pushteti serb/jugosllav si mish i huaj, i cili duhej të hiqej sa më parë. Argument për këtë janë edhe marrëveshjet ndërshtetërore me R. e Turqisë për shpërnguljen e popullsisë. Por, edhe shqiptarët të cilët para luftërave ballkanike kishin qenë të integruar në sistemin politik dhe shtetëror të P. Osmane, tashmë e ndjenin pushtetin e ri si të huaj dhe e konsideronin veten të pushtuar. Tani shqiptarët nuk ishin shtresa sunduese dhe i kishin humbur privilegjet e mëparshme. Pushteti i ri sillej në mënyrë brutale dhe me arrogancë ndaj shqiptarëve. Gjithashtu kishte edhe dallime të mëdha kulturore dhe fetare mes shqiptarëve dhe sllavëve të jugut, të cilët tanimë ishin shtresa sunduese. Kështu shqiptarët nuk e ndjenin shtetin e ri si të tyrin dhe, rrjedhimisht, nuk mund të identifikoheshin me të.

Pas Luftës së Dytë Botërore erdhën në pushtet komunistët jugosllavë, të cilët, për t’i mobilizuar dhe motivuar shqiptarët e Jugosllavisë për të marrë pjesë në luftën kundër fashistëve, kishin përdorur një retorikë shumë premtuese në raport ndaj shqiptarëve. Propaganda komuniste kishte përhapur lajme kinse pas mbarimit të luftës do të kishte barazi të plotë mes popujve. Mirëpo, i menjëhershëm ishte zhgënjimi i shqiptarëve edhe nga pushteti i ri komunist në Jugosllavi. Shqiptarët ngelën pa republikë, u formua vetëm Krahina Autonome e Kosovës nën Republikën Federative Socialiste të Serbisë, kurse pjesa tjetër e shqiptarëve ngeli edhe më keq në kuadër të Republikës së re Federative të Maqedonisë, ku shqiptarët u konsideruan vetëm si pakicë kombëtare. Shqiptarët në këtë Republikë të re përfaqësoheshin simbolikisht nga individë të përshtatshëm dhe konformistë ndaj pushtetit të ri komunist sllavo-maqedonas. Ndërkaq, shumica dërmuese e popullsisë shqiptare ngeli e diskriminuar në mënyrë sistematike, duke u privuar nga të gjitha privilegjet dhe përfitimet shtetërore. Shqiptarët vazhduan edhe më tej të shihen si mish i huaj dhe vazhdoi stimulimi i shpërnguljes drejt Turqisë dhe vendeve të tjera. Diskriminimi i shqiptarëve në Republikën Socialiste të Maqedonisë ishte sistematik dhe institucional, duke i privuar nga të drejtat elementare, si në aspektin etnik, kulturor, të arsimit, në aspektin ekonomik, në përfaqësimin e administratës së shtetit etj. Andaj edhe përndjekja e disidentëve ishte e ashpër, me burgosje shumëvjeçare dhe likuidime fizike.

Pra, mund të thuhet që problemi themelor buronte nga procesi i ndërtimit të identitetit të ri të kësaj republike të re, e cila nga pushteti komunist u projektua si një republikë me identitet të ri, por në thelb sllav, i cili u quajt identitet maqedonas dhe kështu pastaj, në këtë drejtim, vazhdoi edhe konstituimi institucional, kulturor, gjuhësor etj. U themelua Akademia e Shkencave dhe Kulturës Maqedonase, u standardizua gjuha letrare maqedonase, pra maqedonasit u projektuan si një popull sllav me identitet të veçantë nga fqinjët e tjerë sllavë. Problemi qëndronte në faktin që kjo republikë e re kishte në përbërje të saj një përqindje të lartë të popullsisë shqiptare dhe josllave. Pra, ky konstrukt i ri shtetëror nuk ishte paraparë si një republikë e cila do ta pasqyronte përbërjen demografike dhe kulturore të saj. Që këtu lindte problemi i çështjes së integrimit të popullsisë shqiptare në republikën e re.

Edhe pse pushteti komunist maqedonas kishte një qasje shoviniste ndaj shqiptarëve, megjithatë shqiptarët pas Luftës së Dytë Botërore e kishin fituar të drejtën e shkollimit në gjuhën amtare në nivelet e ulëta. Kjo, me gjithë mundësinë e shkollimit në gjuhën shqipe në nivele më të larta në asokohe Krahinën Autonome të Kosovës, ishte diçka e re për shqiptarët e Jugosllavisë në përgjithësi, e në veçanti edhe për shqiptarët e Republikës Socialiste të Maqedonisë. Që këtu e tutje ishin venitur shpresat e asimilimit të shqiptarëve. Tanimë shqiptarët nuk ishin thjesht vetëm një bashkësi etnike, por kishte filluar, përmes arsimit kolektiv në gjuhën amtare, të kultivohet dhe masivizohet vetëdija dhe vetidentifikimi me identitetin kombëtar shqiptar. Këtë e mbështet edhe studiuesja e nacionalizmit shqiptar Nathalie Clayer, duke u bazuar në teorinë mbi formimin dhe zgjerimin e lëvizjeve kombëtare të popujve të Europës Lindore të shkencëtarit Miroslav Hroh (Miroslav Hroch), i cili është i njohur me teorinë e ABC-së. Sipas kësaj teorie, procesi nga formimi dhe deri te përhapja te masat e gjera të popullit e vetëdijes kombëtare kalon nëpër tre faza: faza A është zgjimi kulturor, gjatë të cilit disa intelektualë e studiojnë kulturën popullore; faza B është kur fillon aktivizimi politik dhe faza C është ajo e masivizimit të lëvizjes dhe identitetit kombëtar. Në rastin e shqiptarëve të Shqipërisë faza C, sipas Clayer-it, ishte realizuar gjatë viteve të 20-ta me themelimin e institucioneve dhe shkollave kombëtare. Ndërkaq, te shqiptarët e Kosovës dhe viseve të tjera të Jugosllavisë, sipas saj, kjo fazë është realizuar pas Luftës së Dytë Botërore.

Kështu republikë e re kishte hyrë në një proces skizofrenik identitar, ku nga njëra anë aparati shtetërorë vazhdonte të ndërtonte një identitet të ri shtetëror-kombëtar sllavo-maqedonas, i cili ishte përjashtues për bashkësitë tjera etnike si shqiptarët, ndërsa nga ana tjetër bashkësia e dytë etnike për nga madhësia ishte në një proces të konsolidimit të vetëdijes kombëtare shqiptare. Këto dy rryma ishin në kundërshtim me njëra-tjetrën dhe pa dyshim do të krijonin përplasje të paevitueshme dhe jostabilitet shoqëror e politik permanent.

Gjendjen do ta mbante disi nën kontroll pushteti komunist jugosllav deri në shpërbërjen e Jugosllavisë. Pas shpalljes së pavarësisë së Republikës së Maqedonisë, dukej sikur vorbulla maqedonase po fillonte të ziej përsëri – u rishfaqën apetitet dhe kontestimet nga fqinjët. Këtë momentum kishte përpjekje ta shfrytëzojnë edhe shqiptarët e Maqedonisë, për të arritur të prodhojnë ridefinimin e shtetit të ri. Por, menjëherë pas pavarësimit u bë e qartë se strukturat shtetërore i kishin dominuar forca destruktive me trashëgimi ideo-politike dhe lidhje me pushtetin e kaluar dhe me ndikim të lartë nga Beogradi zyrtar. Elitat sllavo-maqedonase do ta vazhdonin qasjen e vjetër në raport me shqiptarët e këtij vendi, kështu që u bë e qartë se nuk mund të kishte kohezion të brendshëm shoqëror. Shqiptarët ende e ndjenin Maqedoninë si njerkë dhe veten si qytetarë të kategorisë së tretë. Si pasojë, erdhi deri te konflikti i brendshëm i armatosur në vitin 2001, që solli Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, e cila është në fuqi edhe sot.

Marrëveshja e Ohrit është projektuar për ta përmirësuar ose avancuar statusin juridiko-kushtetues të shqiptarëve dhe për ta përmirësuar perceptimin e tyre për shtetin. Për këtë marrëveshje është debatuar shumë. Një pjesë e mendimeve janë që kjo marrëveshje nuk e ka zgjidhur problemin për të cilin shqiptarët kanë luftuar, kurse pjesa tjetër është e mendimit se ajo e ka avancuar deri në një nivel statusin e shqiptarëve. Por, shumica dërmuese janë të sigurt për një gjë – se kjo marrëveshje si e tillë, nuk është implementuar në tërësinë e saj dhe implementimi i saj është zvarritur me dekada.

Dhe, sot, pavarësisht shkallës së zbatimit të kësaj marrëveshjeje, shtrohet çështja se a e ka arritur ajo synimin për të cilin është hartuar. Për të bërë një vlerësim objektiv sigurisht që na duhet dhe një standard sipas të cilit duhet ta bëjmë matjen. Në këtë drejtim, nëse u referohemi modeleve të fqinjësisë sonë, që kanë përafërsisht problem të këtij lloji, i kemi dy raste, atë të Kosovës dhe Bosnjë dhe Hercegovinës. Nëse bëjmë një analizë krahasuese me këto dy raste, atëherë na del se serbët e Kosovës, me 5% në përbërjen e popullsisë, kanë më shumë të drejta dhe status më të favorshëm juridiko-kushtetues se shqiptarët e Maqedonisë, që përbëjnë rreth një të tretën e popullsisë. Gjuha serbe është gjuhë zyrtare në tërë territorin e shtetit dhe e barabartë me gjuhën shqipe. Republika e Kosovës nuk identifikohet në kushtetutë si shtet i shqiptarëve, edhe pse shqiptarët janë mbi 93% e popullsisë, por identifikohet si shtet multietnik, me simbole shtetërore neutrale në aspektin etnik, gjithë kjo me qëllim që serbët e Kosovës të mos ndihen të izoluar ose të diskriminuar dhe të integrohen dhe identifikohen me Republikën e Kosovës. Pastaj e kemi shembullin e Bosnjës dhe Hercegovinës, ku serbët janë rreth një e treta e popullsisë dhe kanë status pakrahasismisht më të favorshëm se shqiptarët e Maqedonisë. Me Marrëveshjen e Dejtonit, ata kanë arritur të jenë popull konstituiv, por edhe kanë siguruar një vetëqeverisje të nivelit të lartë, duke krijuar dhe rastin sui generis të modelit të shtetit të përbërë nga më shumë entitete. Pra, serbët e Bosnjës kanë Republikën Sërpska brenda Bosnjës dhe Hercegovinës, me një autonomi të shkallës së lartë të pavarësisë nga pushteti qendror dhe kontrollojnë 49% të territorit të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Kur ngrihet njëherë standardi në një fushë të marrëdhënieve ndërkombëtare, është e vështirë të ulet pastaj. Kështu shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, si bashkësia e dytë më e madhe, e cila përbën rreth një të tretën e popullsisë së përgjithshme, kanë të drejtë legjitime të kërkojnë që të mos nënçmohen me status si pakicë kombëtare të nivelit të vllahëve ose egjiptianëve. Së paku sipas standardeve ballkanike ata meritojnë të kenë një status si popull shtetformues. Vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet integrimi dhe kohezioni i plotë i brendshëm i këtij shteti.

Në varësi nga (mos)ridefinimi i karakterit të shtetit, shqiptarëve do t’u bëhet e mundur (pa)mundësia e identifikimit me Maqedoninë! /revistashenja