Ballina Artikuj Panorama e udhëzimit hyjnor

Panorama e udhëzimit hyjnor

Çfarë do të ndodhte nëse sëmundja do të të rëndohej —Zoti të dhëntë shëndet— dhe më pas do të takoje një mjek, te i cili ke besim të plotë se zotëron të gjitha mjetet për shërimin tënd? Si do ta pritje atë? Po para tij, si do të uleshe? Më trego për vëmendjen tënde të pandarë dhe sesi do t’i dëgjoje fjalët e tij në ato çaste… Më thoni: si do t’i vlerësoje dhe do t’i zbatoje këshillat që ai të jep?..

Përshkruama përshtypjen tënde për mjekimin që të dha mjeku, që nga çasti i parë kur u ndave prej tij e deri në përfundim të kohës që ai të ka caktuar! Përfytyro sikur mjeku të kërkonte disa analiza mjekësore, ti i bën ato, ia dërgon dhe ai të njofton se sëmundja jote është e lehtë e nuk e meriton gjithë atë shqetësim; pastaj të thotë: “Do të të jap një mjekim që, me lejen e Zotit të Lartësuar, do të garantojë shërimin tënd të plotë”. A mund t’i përshkruash ndjenjat e tua, të më tregosh për gëzimin tënd dhe të më rrëfesh për ato çaste të mrekullueshme të jetës tënde?!..

Imagjino sikur të humbje rrugën në një shkretëtirë. Për një kohë të gjatë do të kërkoje një dalje, por pa mundur ta gjeje. Uji që kishe me vete do të mbaronte, ushqimi do të pakësohej, forcat dhe shpresa do të të shteronin, derisa të ishe fare pranë vdekjes. Pastaj, befas, do të takoje dikë që e njeh mirë atë vend dhe të tregon rrugën. A mund ta përshkruash çastin kur e ndjeve veten në prag të shkatërrimit, e më pas e pe jetën të të buzëqeshte sërish?

Le të të them diçka: gëzimi që do të ndjeje kur të takoje atë njeri të mirë dhe lehtësimi që do të pushtonte zemrën tënde, pasi kishe gjetur dikë që të udhëhiqte drejt shpëtimit, nuk mund të krahasohet me çastin kur takohesh me Librin e Allahut të Lartësuar, e lexon me përsiatje e meditim dhe, nën dritën e tij, e sheh qartë çdo gjë.

Atje shërohesh nga sëmundja jote dhe gjen rrugën e drejtë. Atje kthehesh i sigurt pas frikës, i gjallë pas vdekjes shpirtërore dhe ecën në rrugën tënde i ndriçuar, pasi errësira është shpërndarë.

Atje fiton lumturinë e kësaj bote. Me Librin e Allahut të Lartësuar fiton një jetë të mirë në këtë botë, siguron një botë tjetër të amshuar dhe gjen gjithçka që i nevojitet shpirtit tënd.

A të ka ndodhur ndonjëherë të lexosh fjalën e Allahut të Lartësuar: “Vërtet, ky Kuran udhëzon drejt asaj që është më e drejta.”[1] dhe të kujtohesh se kjo nuk është fjala e një mjeku që njeh gjendjen tënde, as e një udhërrëfyesi që di si të të tregojë rrugën, por është fjala e Zotit të botëve.

Sa herë janë lodhur ndjenjat e tua, je mbushur me ankth e shqetësim dhe ke ëndërruar të gjeje një dritare shprese nëpërmjet një mesazhi të rastësishëm, një ngjarjeje kalimtare apo një mundësie të papritur për ta ndryshuar jetën! Ndërkohë, Zoti i botëve të drejton në rrugën e drejtë dhe të jep premtimin më madhështor që mund të marrë njeriu në gjithë jetën e tij: “Vërtet, ky Kuran udhëzon drejt asaj që është më e drejta.”

Sa herë është zgjatur rruga drejt ëndrrave të tua, është mbuluar nga errësira dhe pengesat janë grumbulluar mes teje dhe atyre ëndrrave! Por Zoti yt, nëpërmjet këtij Kurani, të hap horizonte të reja dhe të ringjall shpresën. Ai thotë: “Vërtet, ky Kuran udhëzon drejt asaj që është më e drejta.”

Atëherë fillon të shohësh se fundi i rrugës është pranë; errësirat shpërndahen, pengesat zhduken dhe kuptimet e thella që gjenden në ajetet dhe suret e Kuranit ta ndriçojnë rrugën drejt synimit tënd.

“Vërtet, ky Kuran udhëzon drejt asaj që është më e drejta.” Kjo është më e qëndrueshmja në zemrën dhe ndjenjat e tua. Nuk do të gjesh asgjë më të ëmbël sesa ta lexosh atë, ta meditosh dhe t’i përkushtohesh asaj. Unë nuk do t’i tregoj me hollësi kuptimet e saj, as pamjet e bukurisë së saj, e as gjurmët e saj në zemrën, ndjenjat dhe shpirtin tënd, sepse ajo është mbi çdo përshkrim, më madhështore se çdo shprehje, më e lartë se çdo shkronjë dhe më e mahnitshme se çdo gjë tjetër…

Nuk do të mundohem të të sjell argumente të ndërlikuara, por po të lë me këtë skenë jashtëzakonisht magjepsëse: një skenë e një grupi të krishterësh që besuan në Isain (a.s) – dhe vërtetuan profecinë e Muhamedit (a.s) Kur dëgjuan Kuranin, nuk i mbajtën dot lotët, duke dëshmuar kështu për atë që kishin në zemra: “Dhe kur dëgjojnë atë që i është shpallur të Dërguarit, i sheh sytë e tyre se si derdhin lot për shkak të së vërtetës që kanë njohur…”[2]

Dhe kur një ajet nga Libri i Allahut të Madhëruar i zgjon ndjenjat në këtë masë, ti nuk do të gjesh dëshmi më të qartë për ndikimin e Kuranit sesa lotët. Ajo është një histori që flet vetë, mijëra herë më fuqishëm se çdo shkronjë e shkruar.

Unë këtu po të flas vetëm për ndikimin e Kuranit në ndjenjat e tua, po si qëndron puna me ndikimin e tij në zemrën, kohën dhe mbarë jetën tënde?! Për të mos folur pastaj për bereqetin në pasurinë, shtëpinë, familjen dhe punën tënde, si dhe për mbarësinë (teufikun) që do të përfshijë tërë jetën tënde. Fjalët e mia për këto kuptime janë shumë të pakta për të të treguar përjetimin e plotë. Ndoshta dëshmitë e atyre që janë prekur prej tij dhe përvojat e tyre që do të vijojnë më tek, do të jenë të mjaftueshme për ty për çdo gjë.

A ke imagjinuar ndonjëherë një libër që e lexon vazhdimisht gjatë ditës dhe natës tënde, dhe sa më shumë që i qasesh, aq më tepër të shtohet malli për të, dëshira për t’iu rikthyer, lidhja me të, dashuria dhe pasioni ndaj tij? Pastaj vijnë hollësi të tilla që lapsi e ka të vështirë t’i përshkruajë dhe dështon t’i shpjegojë në shumë raste. Të gjithë librat e tjerë të botës mbarë dështojnë të të bindin për t’i lexuar për herë të dytë në shumë raste, e lëre më për herë të tretë, të katërt apo të dhjetë! Për Zotin, sa i madh është ky dallim!..

“Më e drejta” në të kuptuarit dhe konceptimin tënd për jetën; ai (Kurani) i ndërton mendimet e tua, i rregullon konceptet e tua dhe i formëson pikëpamjet e tua, kështu që ti i sheh të vërtetat qartë me sytë e tu dhe pothuajse asgjë nuk të shpëton nga interesat e tua më të mëdha në jetë..

“Më e drejta” në marrëdhëniet e tua me të tjerët, qofshin ata individë apo grupe, udhëheqës apo popuj, të afërm apo të largët. Ai i ngre të gjitha këto raporte mbi baza të shëndosha e të forta, që nuk ndikohen nga teket e as nga rrethanat e çastit, por i nënshtrohen ligjit të drejtësisë dhe paanshmërisë, ku mirësia, falja dhe toleranca marrin pjesën kryesore në çdo gjë!..

“Më e drejta” në adhurimin dhe bindjen ndaj Zotit tënd të Bekuar e të Lartësuar; ajo ta tregon rrugën qartësisht, kështu që ti adhuron duke parë fundin e asaj rruge të gjatë po aq qartë sa ç’sheh fillimin e saj, pa asnjë dallim! Ajo të lidh me Zotin tënd në një rrugë të mesme, të këndshme dhe tejet mahnitëse! Ti fal vetëm pesë namaze gjatë ditës dhe natës tënde, ndërsa pjesa tjetër e ditës mbetet e lirë për ty. Kur udhëton, fal vetëm dy rekate nga namazet katër-rekatëshe dhe të falen namazet vullnetare (nafilet). Ti agjëron vetëm një muaj në vit, e kryen obligimin e haxhit vetëm një herë në jetë dhe jep zeqatin vetëm nga teprica e pasurisë (kursimet), e jo nga kapitali fillestar!.

Unë të ftoj që ta jetosh udhëtimin e jetës tënde me të gjitha hollësitë e saj të këndshme dhe ngjarjet e saj mahnitëse, e në fund do të shohësh atë që nuk ta merrte mendja. Edhe pse e kuptoj që kjo rrugë kërkon pak durim, ajo në fund është lajmëtare e gëzimeve të tua në të dyja botët (në këtë jetë dhe në jetën tjetër).

Autor: Mish’al Abdulaziz Felahi

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Sure Isra: 9.

[2] – Sure Maide: 83.