Papa: Mos e përdorni grurin ukrainas “si një armë lufte”

Papa Françesku sot bëri thirrje për zhbllokimin urgjent të porteve të Ukrainës për të lejuar rifillimin e eksporteve të grurit dhe për të shmangur një krizë globale humanitare, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur gjatë audiencës së tij javore në Sheshin e Shën Pjetrit, udhëheqësi i 1.3 miliardë katolikëve në botë shprehu “shqetësim të madh” për “bllokadën e eksporteve të drithit nga Ukraina, nga e cila varet jeta e miliona njerëzve, veçanërisht në vendet më të varfra”.

“Apeloj me zell që të bëhet çdo përpjekje për zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe garantimin e të drejtës universale të njeriut për ushqim. Ju lutemi, mos përdorni grurin, një ushqim bazë, si armë lufte”, tha Papa.

Ukraina është një nga prodhuesit kryesorë në botë të drithit, por kapaciteti i saj i prodhimit dhe eksportit janë komprometuar seriozisht që nga 24 shkurti, kur Rusia nisi luftën kundër saj.

Përpjekjet po vazhdojnë për të ndërmjetësuar një marrëveshje midis Kievit dhe Moskës për të lejuar eksportimin e grurit përsëri përmes Detit të Zi, përfshirë OKB-në, Turqinë dhe BE-në, por nuk është bërë shumë përparim deri më tani. /aa